20 mld lekë më shumë të ardhura – Treguesit fiskalë, tatimet dhe doganat me ecuri pozitive
Të ardhurat në buxhetin e shtetit për 9-mujorin rezultojnë më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë. Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga Tatimet, Doganat dhe Sigurimet shoqërore rezultojnë të jenë 20 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.
Kështu sipas këtyre statistikave, të ardhurat nga këto administrate janë për 9 mujorin në vlerën e 280 miliardë lekëve, nga 260 miliardë që ishin të ardhurat nga këto zëra një vit më parë.
Por gjithashtu këto të ardhura janë më të larta edhe se vetë planifikimi i financave, të cilat për këtë periudhë kishin llogaritur 278 miliardë lekë.
Aksioni ndaj informalitetit ka “ndërgjegjësuar” bizneset në pagesat e detyrimeve, por një indicia pozitive në pagesën e tyre ka qenë dhe miratimi i ligjit të faljes së detyrimeve.
Financat publike gjatë gjithë këtij viti kanë performuar pozitivisht duke treguar stabilitet.
Edhe pse gjysma e parë e këtij viti korrespondoi me periudhë parazgjedhore apo dhe me mbylljen e marrëveshjes me FMN, duket se qeveria është treguar e matur në menaxhimin e financave publike.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.