20 mln euro për emergjencën – Qeveria greke, lehtësime për bizneset e prekura nga zjarret
Qeveria greke ka akorduar një fond prej 20 milionë euro për përballimin e nevojave imediate të Bashkive që janë prekur nga zjarret por edhe të qytetarëve. Sipas një njoftimi të ambasadës greke në Shqipëri, qeveria e Athinës, në një mbledhje të jashtëzakonshme, nën drejtimin e Kryeministrit Aleksis Cipras dhe me pjesëmarrjen e të gjithë Ministrave kompetentë, u bë vlerësimi i gjendjes dhe u planifikuan hapat që do të hidhen për përballimin e pasojave të zjarreve në Atikën Lindore dhe Perëndimore.
Gjithashtu, është vendosur hapja e një llogarie të veçantë nga ana e Ministrisë së Financave, me pjesëmarrjen e Sektorit Publik por edhe të Privatëve, teksa konstatohet një interesim i jashtëzakonshëm solidariteti konkret, si brenda ashtu dhe jashtë vendit.
Ministria e Financave, ndërkohë, ka vendosur zgjatjen e afatit të depozitimit të deklaratës së të ardhurave deri më datën 28 shtator, zgjatje me gjashtë muaj të afatit të pagesës së detyrimeve të konfirmuara, si dhe të detyrimeve që u ka mbaruar afati i shlyerjes. I njëjti afat vlen edhe për detyrimet që rrjedhin nga deklaratat e depozituara për tatimin e të ardhurave të vitit tatimor 2017.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.