20-vjetori i “pavarësisë” së BOE – May mbron ekonominë e tregut të lirë, Carney flet për Brexit

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, mbrojti tregun e lirë në fjalimin për 20-vjetorin e pavarësisë së Bankës së Anglisë, ku ju dha e drejta për të caktuar normat e interesit. May tha se britanikët nuk duhet të harrojnë vlerën e një ekonomie ku sundon tregu i lirë.
Ajo përsëriti vendosmërinë e saj për t’u treguar e ashpër mbi shpenzimet publike pavarësisht presioneve politike që të lehtësojë masat shtrënguese.
Theresa May argumentoi se tregu fleksibël i punës në Britani ka sjellë prosperitet dhe tha se ndërsa vendet adaptojnë ekonominë e tregut të lirë pritshmëritë për jetëgjatësinë rriten, ndërsa varfëria bie.
“Është e vetmja mënyrë e qëndrueshme për të rritur standardet e jetesës për këdo në një vend”, tha kryeministrja.
Bankës së Anglisë iu dha pavarësia për të vendosur mbi normat e interesit në datën 6 Maj 1997 nga kancelari i atëhershëm Gordon Brown, disa ditë pasi qeveria e re laburiste mori detyrën. Përpara kësaj, vendimet mbi normat e interesit u bënin nga kancelari, duke marrë këshilla nga Banka dhe zyrtarët e Thesarit.
Kjo nënkupton se lëvizjet ndodhnin me konsiderata politike. Kryeministrja Theresa May tha se dhënia e fuqisë drejt Bankës Qendrore për të vendosur mbi normat e interesit ka qenë e rëndësishme për të mbajtur inflacionin në nivele të ulëta gjatë 2 dekadave.
Në pjesën e tij të fjalimit, Guvernatori Mark Carney përsëriti se banka do të jetë vigjilente për t’i bërë ballë ndërprerjeve financiare apo ekonomike nga procesi i Brexit. Megjithatë, ai tha se Banka e Anglisë nuk pritet të parandalojë goditjen e ekonomisë nga Brexit, por mund të influencojë mënyrën se si kjo goditje shpërndahet përreth vendit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.