200 mijë euro për Poliklinikën e Përrenjasit – Drejtoria e Shërbimit Spitalor shpall tenderin
200 mijë euro për rikonstruksionin e spitalit të Përrenjasit. Drejtoria e Shërbimit Spitalor ka njoftuar shpalljen e tenderit në Agjencinë e Prokurimit Publik. Godina në të cilët do të kryhet investimi, sipas specifikimeve të tenderit, është ajo e Poliklinikës, e cila pozicionet në pjesën veriore të qytetit.
“Në zonimin funksional të Poliklinikës do të kemi radiologjinë, dhoma pacientësh, mikrokirurgjinë, dhomë vizitash, infermieri, dhomë teknike, laborator dhe dhomë pacientësh për shërbim parësor” specifikohet në dokumentacionin bashkangjitur tenderit.
Sipas detajeve, fasada e jashtme e objektit paraqet dëmtime fizike të shtresës së suvasë si dhe dëmtime të tjera nga lagështia, apo degradime për shkak të vjetërsisë së objektit.
“Në nivelin e ambienteve të brendshme objekti paraqet problematikat më të mëdha dhe emergjente. Pjesa më e madhe e katit përdhe ku përfshihen ambientet teknike është jashtë funksionit dhe paraqet dëmtimet më të mëdha, duke i bërë këto ambiente të pashfrytëzueshme” shpjegohet më tej.
Tenderi i shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik do të qëndrojë i hapur deri më 15 janar 2021 dhe ka një afakt kohor për ekzekutim, 4 muaj, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.