2017, bumi i ndërtimeve pa leje – 862 objekte të evidentuara, rritje me 200% nga 2016
Ndërsa reforma territoriale, procesi i legalizimit, dhe një seri veprimesh të institucioneve ligjzbatuese duket se i dhanë fund një herë e mirë ndërtimeve pa leje, situata në terren flet për të kundërtën.
Fenomeni jo vetëm nuk është zhdukur, por ka shënuar një bum në vitin zgjedhor 2017. Sipas të dhënave zyrtare të raportuara nga prokuroritë e të gjitha qarqeve, në vitin që sapo lamë pas numri i ndërtimeve pa leje të hetuara është rritur me 200%.
Për periudhën janar – shtator 2017, prokuroritë kanë evidentuar në terren plot 862 ndërtime pa leje, nga 286 të evidentuara për nëntëmujorin e parë të vitit 2016.
Të njëjtin trend rritës ka shënuar edhe numri i autorëve të evidentuar. Nga 309 në periudhën janar shtator 2016, numri i autorëve të evidentuar ka kërcyer në 930 për të njëjtën periudhë të vitit 2017.
Ky numër kaq i madh ndërtimesh të paligjshme, u evidentuara kryesisht në periudhën përpara dhe pas zgjedhjeve. Rritja e fortë nuk mund të kalonte pa vëmendje.
Në fund të gushtit, forcat e rendit ndërmorën një aksion masiv kundër tyre në gjithë territorin. Në vetëm 8 ditë, uniformat blu konstatuan në mbarë vendin më shumë se 200 ndërtime pa leje, duke proceduar në gjendje të lirë dhjetëra persona.
L.R/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.