2017, rritet mashtrimi financiar – 687 raste të raportuara nga Policia, 20% më shumë se viti 2016

Viti 2017 ka shënuar një rritje të dukshme të veprës penale të mashtrimit financiar. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, në raport me vitin 2016, kjo vepër penale ka shënuar një rritje me 20% në vitin që sapo u mbyll. Sipas Drejtorisë së Policisë, në 2017 janë evidentuar 687 raste të mashtrimit, nga 569 në vitin 2016.
Sipas Kodit Penal, në këtë vepër përfshihen skemat piramidale, manipulimi i tregut, mashtrimet me sigurimet apo falsifikimi i markave zyrtare.
Rastet e mashtrimit financiar ka shënuar një rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave të prokurorive në gjithë vendin, për vitin 2016, janë hetuar në total 1350 raste të kësaj vepre penale, me një rritje prej 33% krahasuar me një vit më parë. Rritje kanë shënuar edhe dënimet e dhëna për mashtrim.
Sipas prokurorisë, në vitin 2016 janë dënuar për këtë vepër 534 persona, me një rritje prej 23% krahasuar me një vit më parë, kur numri total i të dënuarve arriti 433. Pjesa më e madhe e mashtrimeve kanë ndodhur në Tiranë, ku janë regjistruar 51% e rasteve, ndërkohë që numër të madh hetimesh kanë shënuar Durrësi, Elbasani Vlora e Shkodra.
L.R/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.