2017, rritje e fortë e korrupsionit – Viti zgjedhor, numri i raportimeve nga Policia u rrit me 48%
Viti zgjedhor 2017 ka shënuar një rritje të dukshme të korrupsionit. Sipas të dhënave zyrtare të raportuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në tremujorin e tretë 2017, veprat penale në fushën e korrupsion kanë shënuar një rritje prej 48% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Për vitin e shkuar raportohen 283 raste korrupsioni, nga 191 në vitin 2016.
Të njëjtin trend në rritje ka shënuar edhe numri i personave të përfshirë në veprime korruptive për të njëjtën hapësirë kohore. Nga 313 persona të raportuar në tremujorin e tretë 2016, numri i tyre ka kërcyer në 370 për vitin zgjedhor 2017.
Shifra në rritje të korrupsionit raporton edhe organi i prokurorisë. Për vitin 2015-2016 Prokuroria ka hetuar në total 105 raste funksionarësh publikë të dyshuar për korrupsion aktiv.
Viti me numrin më të lartë të hetimeve për korrupsion aktiv është 2015-a, kur janë regjistruar 58 raste. Po këtë vit për këtë vepër penale janë dënuar 40 persona. Numrin më të madh të procedimeve për këtë vepër, të paktën për vitin e shkuar, e kanë regjistruar Tirana e Shkodra, me respektivisht 15% dhe 13% të totalit. Më pak hetime kanë ndërmarrë prokuroritë e Durrësit e Vlorës, të cilat numërojnë nga 9% të totalit.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.