2019, pozitive për bursat – Tregjet botërore të kapitalit kanë shtuar 17 trilionë dollarë në vlerë
Tregjet botërorë të aksioneve kanë pasur performancë të fortë në vitin 2019, duke shtuar mbi 17 trilionë dollarë në vlerë, sipas përllogaritjeve të Deutsche Bank. Vlera e titujve botëror të kapitalit e nisi vitin në më pak se 70 trilionë dollarë dhe ka kaluar tashmë 85 trilionë dollarë.
Performanca pozitive ka ardhur për shkak të politikave lehtësuese monetare dhe zhvillimeve të tjera në botë. Bankat Qendrore në të gjithë botën kanë ofruar stimuj monetarë, duke nxitur tregjet. Rezerva Federale ka ulur normën bazë të interesit 3 herë këtë vit dhe Banka Qendrore Europiane uli interesat negative më tej, në -0.5%.
Perspektiva botërore tregtare, që është bllokuar që prej zgjedhjes së Donald Trump, është bërë gjithashtu më e qartë gjatë vitit. Në Shtetet e Bashkuara, Dhoma e Përfaqësuesve kaloi paketën e re tregtare me Amerikën e Veriut dhe vendi arriti gjithashtu një marrëveshje të fazës së parë me Kinën.
Në Europë, fitorja e konservatorëve të Boris Johnson pritet t’i japë atij fuqi për të negociuar daljen nga Bashkimi Europian. Megjithatë, rritja e fortë në tregjet e kapitaleve ka qenë më e dukshme në tregjet amerikanë, ndërkohë që S&P 500, Dow Jones dhe Russell 2000, janë rritur me mbi 20% këtë vit. Viti pozitiv për disa nga kompanitë me vlerën më të madhe, si rritja me 80% e Apple dhe me 57% e Facebook, kanë nxitur tregjet amerikanë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.