2020, kompensim për vetëm 25 pronarë – Raporti i monitorimit të ATP: Përfituan nga fondi fizik dhe financiar 254 subjekte në total
Ndërsa fondet për dëmshpërblimin e pronarëve u reduktuan ndjeshëm gjatë vitit 2020, si rezultat I rishikimeve buxhetore për shkak të Pandemisë, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka trajtuar në total 254 subjekte.
Nga raporti i monitorimit që ATP ka dërguar në Ministrinë e Financave, rezulton se kompensim financiar kanë përfituar përgjatë gjithë vitit vetëm 25 subjekte, për një vlerë prej 49 milionë lekësh, afërisht 500 mijë dollarë. “janë kompensuar 25 subjekte me vlerë 49,115,904.46 lekë, sipërfaqja e kompensuar fizikisht është 1,009,645 m2, vlera e të cilës është 196,463,618 lekë, dhe 1 mbyllje procedimi”, thekson në raport Agjencia e Trajtimit të Pronave.
Ndërkaq diçka më i lartë është fondi i kompensimit i përdorur në rastet e veçanta, kur pronarët pranojnë të heqin dorë nga pjesa dërrmuese e kompensimit në këmbim të përfitimit të tij pa radhë.
“Kompensim me raste të veçantë: gjatë vitit 2020 janë kompensuar 75 subjekte me vlerë 175,441,434 lekë dhe 148 subjekte që kanë përfituar këstin e radhës 2016-2019 me vlerë 481,216,781 lekë dhe 5 mbyllje procedimi. Gjatë këtij viti vërehet një rënie e aplikimeve si pasojë e situates së krijuar nga Covid-19.
Gjatë kësaj periudhe aplikime të reja pranë Sektorit të Trajtimit të Kërkesave të Veçanta gjithsej në total janë 55 subjekte ndërsa Aplikime të kaluara me memo nga Sektori i Kompensimit Financiar dhe Fizik në Sektorin e Trajtimit me Kërkesë të Veçantë gjithsej në total janë 49 subjekte.”, thekson në raport Agjencia e Trajtimit të Pronave.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.