2020, ulen sinjalizimet për pastrim parash – DPPPP: 1409 raportime nga bankat e noterët, Kadastra nuk ka dërguar raste të dyshimta
Ndërsa Shqipëria u fut përsëri në vitin 2020 në listën gri për rrezikun e pastrimit të parave, është pakësuar numri i raportimeve nga autoritet kompetente në vend. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave sapo ka publikuar raportin e punës për vitin 2020, nga ku rezultojnë se në drejtim të saj janë dërguar 1409 sinjalizime për transferta të dyshimta, nga 1424 në vitin 2019.
Rezulton se numri më i madh i sinjalizimeve për fonde të dyshimte është bërë nga sistemi bankar, cilat për vitin 2020 përbëjnë 50% të numrit total, e ndjekur nga raportimet nga subjekte noter me 23 % dhe institucionet financiare për transferimin e parasë me 22%. Raporti specifikon se për vitin 2020 mungojnë raportet nga Kadastra.
Nga sinjalizimet e dërguara përgjithësisht vazhdojnë të mbizotërojnë tipologjitë që lidhen me: blerje të pasurive të paluajtshme apo të luajtshme me burim të panjohur të fondeve, transfertat e dyshimta apo me anomali të dukshme, veprime nga persona të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale, hua/marrje hua për/nga të tretë, sponsorizime/dhurime / nga / për të tretë, ndërmjetësim të dyshimtë në transaksione nga disa profesione të rregulluara me ligj, ndërveprime financiare të pa mbështetura me dokumentacion mes personash juridik.
Ndërkaq raporti nxjerr në pah se Pandemia ka shtuar mundësitë për pastrimin e parave.
Pandemia COVID-19 është shoqëruar edhe me mënyra të ndryshme reagimi si nga sektori publik apo edhe privat, të cilat përfshijnë ndihma sociale, shit-blerje të produkteve mjekësorë të caktuara, që kanë ndikuar si në sjelljen financiare të institucioneve financiare por edhe klientëve të tyre. Kjo situatë mund të ofrojë mundësi të reja për personat e përfshirë në veprimtari kriminale për të siguruar të ardhura të jashtëligjshme apo mundësuar procesin e pastrimit të parave. Bazuar në analizimin e RAD të dërguara gjatë vitit 2020 në DPPPP, rezulton se janë raportuar raste edhe pse sporadike që lidhen me transaksione të dyshimta apo edhe mashtrim për shit-blerje produktesh mjekësore apo përfitim të paligjshëm të ndihmave.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.