2021, rritet numri i bizneseve jo-aktive – Tatimet: Janar-Prill, 3,298 biznese janë transferuar në regjistrin e subjekteve pasive
Ashtu si dhe në vitin e shkuar, në muajt e parë të vitit 2021 ka vijuar rritja e fortë e numrit të bizneseve me statusin pasiv. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, deri më 14 prill, rezultojnë 3,298 biznese të cilat janë transferuar në Regjistrin Pasiv. Ritmet janë të përafërta, në mos diçka më të larta se në vitin 2020, kur në total 9584 subjekte u transferuan nga administrate tatimore nga Regjistri Aktiv në Regjistrin Pasiv.
Një subjekt transferohet nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv në rast se përmbushet, të paktën, një nga kushtet e mëposhtme: nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm; nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm; apo deklaron në QKB pezullim veprimtarie tregtare dhe paguan të gjitha detyrimet tatimore.
Regjistri përmbledh të gjitha bizneset që nga viti 1991 e më tej janë transferuar në regjistrin pasiv. Në total, aty gjenden më shumë se 131 mijë subjekte, me Tiranën që shënon numrin më të lartë me thuajse 53 mijë biznese e ndjekur nga Durrësi me rreh 20 mijë subjekte, për të vijuar me Vlorën. Ka qenë viti i Pandemisë kur numri i transferimeve është shtuar ndjeshëm. Në vitin 2018 në regjistër gjendeshin rreth 120 mijë subjekte, shifër që ka kursyer më mbi 130 mijë me mbërritjen e Pandemisë.
Qëllimi i publikimit të kësaj liste është që të vihen në dijeni palët e treta për të mos kryer transaksione (shitje – blerje) me subjekte të cilët janë pjesë e regjistrit pasiv. “Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet në përputhje me këtë ligj”, thekson Administrata Tatimore.
Lorenc Rabeta / SCAN
TABELA
VITI 2020 9.584 SUBJEKTE PASIVE
VITI 2021 (1 JANAR-15 PRILL)3.298
QYTETET
TIRANË 52.907 SUBJEKTE
DURRËS 19.688
VLORË 7.988
FIER 9.248
SHKODËR 9.088
ELBASAN 6.598
KORÇË 6.916
GJIROKASTËR 3.521
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.