217 milion euro dëm me mashtrime dhe vjedhje nga ndihmat e shtetit për Covid – Gjermania nis hetimet!
Prokurorët gjermanë kanë nisur hetime në më shumë se 26,800 raste për mashtrime me ndihmat urgjente për Koronavirusin dhe pritet që të ketë edhe shumë më tepër raste të tilla. Deri tani përllogaritet se dëmi shkon në më shumë se 217 milionë euro sipas mediave vendase.
Truket e mashtruesve janë të ngjashme: Për të marrë ndihmë urgjente në kuadër të ndihmës për shkak të pandemisë, mashtruesit bënin kërkesë për fonde ndihme për sipërmarrje dhe kompani që në momentin kur qeveria shpalli programin e ndihmave nuk ekzistonin më. Sipërmarrës të tjerë kanë aplikuar në emër kompanish ekzistuese, por i transferuan paratë nga subvencionet në llogaritë e tyre private ose në llogari të kompanisë, por i kanë përdorur për qëllime private, në kundërshtim me rregulloren për ndihmat urgjente të Covid-19.
Prokuroria e Bremenit njofton për një mashtrim të veçantë i cili ka shkaktuar bujë: mashtruesit postonin në internet shpallje pune për pozicione që nuk ekzistonin. Me ndihmën e të dhënave personale të mbledhura nga punëkërkuesit, ata aplikonin në emër të tyre për fonde ndihme për pandeminë.
Rastet më të shumta të mashtrimeve janë në Berlin. Grupi hetimor i përbërë nga 30 vetë po heton aktualisht 8.672 raste. Për shkak të mungesës së kapaciteteve janë ende në pritje hetimet për mbi 9,000 raste të tjera dyshimesh për mashtrime për të marrë ndihmë urgjente për Koronavirusin.
Dëmi i mundshëm që i është shkaktuar deri tani shtetit prej mashtrimeve të mësipërme në Berlin është mbi 118 milionë euro, më shumë se gjysma e dëmit në mbarë Gjermaninë. DW
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.