23 – 24 shkurt do të shpallen Ditët e Pemëve, Klosi: Deri në vitin 2020, vendi ynë më i gjelbër në rajon

23 dhe 24 shkurt të çdo viti, shpallen Ditët Kombëtare të Pemëve ndërsa të gjitha shkollat dhe universitetet në mbarë vendin do të bëhen pjesë e këtyre ditëve kushtuar gjelbërimit dhe pyllëzimit.
Për realizimin e kësaj fushate të përvitshme dhe mbi baza vullnetare, ministrat Klosi dhe Nikolla nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në prani të nxënësve të gjimnazit “Partizani” në Tiranë.
Sipas Klosit vetëm me përfshirjen e të gjithë qytetarëve dhe bizneseve, do të arrihet që Shqipëria të bëhet vendi më i gjelbër në rajon.
“Sot nënshkruam me ministren Nikolla një pakt i cili nuk u takon në fakt institucioneve tona, por i takon të gjitha shkollave të Shqipërisë për të marrë pjesë në aksionin e madh të mbjelljes së 20 milionë e 200 mijë pemëve deri në vitin 2020 duke e bërë Shqipërinë një nga vendet më të gjelbëruara në rajon. Ky aksion do të vazhdojë gjatë gjithë muajit në të gjitha shkollat e vendit dhe do të kurorëzohet në datat 23 dhe 24 shkurt, ditë të shpallura si Ditët e Pemëve kur do t’u kërkojnë të gjithë qytetarëve, të gjithë bizneseve që të mbjellin një pemë për veten, për njerëzit të cilët i kemi në emigracion, për fëmijët të cilët duam t’i rrisim me dashurinë për natyrën, për të rikrijuar dhe rigjeneruar jetën në Shqipëri”, tha ministri Klosi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.