23 projekte të huaja në “filtër” auditimi – Ku kanë shkuar paratë e donatorëve? Kontroll për mbi 80 milion USD
Të gjitha projektet dhe grantet me financim të huaj të ekzekutuara gjatë viti që lam pas, do të kalojnë një filtër të jashtëm auditimi. Ministra e Financave ka hapur tenderin përkatës për përzgjedhjen e audituesit dhe në fokus do të jenë grantet dhe të projektet e financuara nga Banka Botërore për vitin 2019 si dhe nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Sipas informacioneve të tenderit, objektivi është auditimi i pasqyrave financiare të projekteve, për të kuptuar nëse fondet e jashtme janë përdorur në përputhje me kushtet e përgjithshme përkatëse, marrëveshjet financiare përkatëse, duke i kushtuar vëmendje anës ekonomike dhe eficiences, dhe vetëm për qëllimin per te cilin është dhënë financimi. Në total janë 23 projekte të zbatuara gjatë vitit 2019 që do të auditohen, nga të cilat 16 janë për llogari të bankës botërore, të cilat kapin vlerën e 80.5 milionë dollarëve.
Kryesisht janë projekte të zbatuara në sektorin e energjisë, mjedisit, në sektorin e ujit, asistencës sociale, sigurinë rrugore, sistemin shëndetësor, atë financiar, infrastrukturë etj. Ndërsa projektet e tjera që do të auditohen i takojnë atyre të zbatuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, siç është ai i zhvillimit të apeleve shqiptare dhe zonave bregdetare, projekti i furnizimit me ujë për zonat rurale, për rehabilitimin e Lumit të Vlorës, për rrugët lidhëse rajonale e etj.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.