26,000 tituj pronësie nuk regjistrohen – Avokati i Popullit: Bie ndesh me ligjin, pronat s’mund të tjetërsohen pa u kompensuar pronari
Sipas Avokatit të Popullit, 26 mijë tituj pronësie që u janë njohur pronarëve mbeten pa u regjistruar në Kadastër megjithëse ato kanë një vendim nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Në raportin e sapopublikuar për vitin 2020, ky institucion thekson se bëhet fjalë për një realitet i përsëritur dhe i trajtuar edhe në raportin e vitit 2019 është mosregjistrimi i mbi 26 mijë titujve të pronësisë, vendimeve të dhëna në vite prej ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, ish-Agjencisë Shtetërore të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, sot Agjensia e Trajtimit të Pronave, me objekt njohje e pronësisë me të drejtë kompesimi nga ana e ish-zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, sot drejtorive vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Ky qëndrim, thekson Avokati i Popullit, vjen ndesh me parashikimin e kryer në nenin 196 të Kodit Civil si dhe nenin 24 të ligjit nr.111/2018 “Për Kadastrën”. Nëse do të ishte respektuar ky detyrim ligjor, asnjë pasuri e paluajtshme nuk do të mund të tjetërsohej nga subjektet përfitues sipas ligjit 7501/1991 “Për tokën”, etj, pa u kryer më pare kompesimi i subjektit pronar.
Ish-Komisioni i Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, ish-Agjencia Shtetërore e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, sot Agjencia e Trajtimit të Pronave, nuk kanë përmbushur dhe nuk përmbushin detyrimin për dërgimin pranë zyrës që administron regjistrin e pasurive të paluajtshme ku ndodhet prona, të mbi 26 mijë vendimeve për regjistrim, sipas të cilëve është vendosur për njohjen e pronës me të drejtë kompensimi.
Për sa i takon trajtimit të ankesave për Agjencinë e Trajtimit të Pronave në përputhje me ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e proçesit të kompesimit të pronave” konstatohet se numri më i madh i ankesave është në drejtim të zvarritjes së procesit të kompensimit financiar, proçes i cili nuk ka dhënë rezultat dhe për më tepër subjektet e kompesuara ende nuk kanë marrë kompensimin financiar.
Për këtë problematikë nga institucionet përkatëse nuk ka përgjigje shteruese duke rënduar më tej gjendjen e ish pronarëve përballë përfitimit financiar. Lidhur me të drejtën e kompensimit konkretisht në përputhje me VKM-në nr.699 datë 30.10.2019, “Për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelat e objekteve të legalizuara dhe kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken prej tyre” në bazë të cilit është bërë Njoftimi Publik mbi fillimin e proçesit të pranimit të kërkesave për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale, gjeneralitetet dhe të dhënat e të cilëve janë sipas VKM Nr.699, datë 30.10.2019, ende pronarët e pasurive të cilët preken nga ndërtimet informale nuk kanë përfituar sipas kësaj VKM-je kompesimin financiar.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.