270 mijë familje përdorin ujin pa matës. Çfarë do të ndodh me ata që kanë puse? Rezultojnë 25 mijë të tilla
“Ka vite që uji konsiderohet si mall pa zot dhe jo si një pasuri kolosale për t’u përkthyer në përfitime për të gjithë”, këtë deklaroi kryeministri Rama gjatë lancimit të aksionit kombëtar për pastrimin e rrjetit nga lidhjet e paligjshme të ujit.
Në vendin tonë rezultojnë 270 mijë familje të cilat përdorin ujin në mënyrë të paligjshme, pa matës, duke u bërë shkak që të penalizohen edhe familjet e rregullta. Në disa qytete në çezma uji vjen 4-5 orë, e në fshatra akoma më rrallë. Gjithashtu rezultojnë të hapura 25 mijë puse, nga të cilat vetëm 265 kanë leje.
“Brenda viti 2018 çdo konsumator që do të përdorë ujërat nëntokësore duhet të ketë autorizim, leje shfrytëzimi. Në çdo katër 4 litër uji që prodhohet, vetëm 1 litër faturohet dhe kjo bën që shteti të subvencionojë ujësjellësit që të mos falimentojnë. Është një situatë që nuk ka si bëhet më keq”, deklaroi Rama, në të kundërt ka penalizime të rënda.
Situata aktuale e ujit
-Në Shqipëri përdoret 10 herë më shumë energji elektrike se në Gjermani për të sjellë ujë.
-Në koston e ujit që konsumojmë 40% e zë vlera e energjisë elektrike për pompat e vendosura në çdo pallat apo ujësjellës.
-12% e energjisë së faturuar shkon për të nxjerrë ujë të pijshëm, afro 30 milion euro në vit.
-Gjatë 4 vitet e fundit është shpenzuar rreth 400 milionë euro për të ndërtuar ujësjellësa të rinj.
-Shteti shqiptar përmes qeverive të ndryshme ka shpenzuar para në 23 vite për të pasur 27 strategji, pra janë investuar por askush se di çfarë është bërë me to.
Nisja e aksionit, çfarë do të ndodhë?
-90 ditë kanë kohë të gjitha ata që furnizohen me ujë të vetërregullojnë situatën e tyre.
-Qeveria në bashkëpunim me bashkitë dhe policitë do të nisë prerjen e lidhjeve të paligjshme, por jo me dënime.
-1 shkurt të vitit 2018 të gjithë ata konsumator që do të verifikohen që kanë lidhje të paligjshme do të ndiqen penalisht.
-Konsumatorët që kanë detyrime të prapambetura të marrin masa për pagesën, para se t’iu prehet lidhja
-Të gjitha ndërmarrjet e ujësjellësit që nuk përfshihen në aksion nuk do të përfitojnë subvencione nga qeveria
-Në këtë operacion pjesë është edhe paketa e solidaritetit për shtresat në nevojë
Qeveria synon që brenda 300 ditëve të para, pra deri në qershor 2018 të gjitha familjet konsumatorë apo bizneset të jenë pajisur me matësa uji.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.