29 mijë shqiptarë për azil, Eurostat: Zënë 2% të totalit, 1/4 shkuan në Francë

Eurostat ka publikuar raportin e plotë vjetor të atyre që kanë bërë kërkesë për azil në Europë gjatë 2016-ës. Shqiptarët zënë vetëm 2% të totalit.
Ndër 1.2 milionë azilkërkues në Europë gjatë 2016-ës, shqiptarët përfaqësohen me 28 mijë 925 individë, duke zbritur kështu në grupimin e 9-të më të madh azilkërkues në Europë, dhe të vetmit ndër vendet e para të listës që janë të klasifikuar si një vend i sigurtë origjine.
Pavarësisht se Europa i ka shtrënguar rregullat e azilit, duke i mbyllur dyert atyre që vijnë kryesisht nga Ballkani perëndimor e që në 2015-ën përfituan nga vala e refugjatëve nga lindja e mesme për tu futur në Europë, shqiptarët vazhdojnë ta provojnë.
Eurostat i referohet vetëm atyre që kanë bërë për herë të parë kërkesë për azil, pra nuk bëhet fjalë për ata që ritentojnë. Në Francë, shqiptarët janë grupi më i madh azilkërkues. 6850 shtetas shqiptarë, ose 9% e totalit të atyre që aplikuan në Francë, bënë kërkesë për azil gjatë vitit të kaluar.
Në Luksemburg dhe Islandë, shqiptarët janë grupi i dytë më i madh azilkërkues, me 220 dhe 230 kërkesa respektivisht. Në Holandë dhe Irlandë ndërkohë janë grupi i tretë më i madh azilkërkues, me 1665 dhe 230 kërkesa respektivisht.
60% e kërkesave për azil në Europë gjatë 2016-ës janë regjistruar në Gjermani, që vazhdon të mbetet vendi i preferuar për refugjatët, duke u nxitur edhe nga politika e dyerve të hapura.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.