3 arsyet pse Rusia kërkoi pagesën e gazit në rubla!

Më 23 mars, Vladimir Putin urdhëroi që vendet e konsideruara “armiqësore” ndaj Rusisë të paguajnë për furnizimet me gaz ekskluzivisht në rubla, dhe jo në dollarë sipas kontratave ekzistuese. Putin gjithashtu udhëzoi Bankën Qendrore Ruse që të zhvillojë një proces të ri brenda 7 ditëve për të lejuar kryerjen e këtyre transaksioneve.
Arsyeja e parë dhe më e rëndësishme është frenimi i zhvlerësimit të monedhës ruse ndaj dollarit dhe euros, i shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë dhe nga sanksionet e vendosura nga vendet perëndimore. Nëse më 24 shkurt, ditën e pushtimit, një euro vlente 75 rubla, më 7 mars merrte 148 rubla për një euro. Vendimi i Putin çoi në një mbiçmim të rublës brenda pak orësh, i cili pasditen e 23 marsit ishte 108 kundrejt euros dhe 98 kundrejt dollarit (kundër 139 në 7 mars).
Nëse ka shumë vende që blejnë rubla, vlera e rublës rritet. Për të paguar në rubla, në fakt, vendet e huaja duhet t’i blejnë ato. Prandaj, detyrimi i vendeve perëndimore të paguajnë për furnizimet me gaz në rubla, i lejon Kremlinit të mbështesë monedhën e vet. Prandaj, Putin po imponon mbështetje për monedhën ruse në të njëjtat vende që e ulën atë përmes sanksioneve.
Ky veprim gjithashtu i lejon Rusisë të mbajë çmimin e gazit të lartë dhe të ruajë kontrollin. Gazi më i shtrenjtë do të thotë fitime më të larta dhe për rrjedhojë më shumë burime për të mbështetur kostot shumë të larta të operacionit ushtarak në Ukrainë nga pikëpamja ekonomike. Nga raportimet e para duket se Putin ia ka dalë me qëllimin e tij: ditën e 23 marsit, pak orë pas njoftimit, çmimi i gazit mbylli tregtinë me 27% rritje krahasuar me një ditë më parë.
Siç pritej, vendimi i Putin nuk u pëlqeu vendeve perëndimore, të cilat tashmë kanë aktivizuar task forcat ligjore për të kuptuar se deri në çfarë mase kërkesa e Moskës duhet të konsiderohet e detyrueshme. Kontratat e furnizimit në fakt janë të shprehura në dollarë ose euro dhe sipas ekspertëve, detyrimi i pagesës në rubla do të përfaqësonte një modifikim të klauzolave, si dhe një mënyrë për të anashkaluar sanksionet. FCS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.