3 gabime thelbësore në dërgimin e një e-maili që ju bëjnë të dukeni jo profesionist

Shpeshherë ndodh të sakrifikoni cilësinë për hir të shpejtësisë. Gjatë dërgimit të një e-maili nuk jeni plotësisht të përqendruar dhe bëni gabime të vogla, por që kushtojnë shumë. Më poshtë do të shikoni 3 gabimet më të shpeshta gjatë dërgimit të një e-maili.
- Harroni të bashkëngjitni
Gjithkujt mund t’i ketë ndodhur të paktën njëherë të dërgojë një e-mail pa bashkëngjitur diçka, ndërkohë që përmbajtja e e-mailit flet rreth dokumentit që ju mendoni se keni bashkëngjitur. Trajneri i karrierës Rajiv Nathan tregon historinë dhe shpreh mirënjohjen e tij, për Outlook dhe Gmail për faktin se ju lajmëron nëse e-maili juaj përmban ose jo shtojcë, në mënyrë që të kujtoheni nëse duhet të bashkëngjisni dokumentin tuaj. Ai tregon se si kjo gjë i ka kushtuar një kritikë në performancë.
- Sqarime te tepërta
Është shumë e rëndësishme, të arrini të shprehni atë që doni të thoni pa u zgjatur shumë. Shpesh herë kur ju shkruani shumë gjëra, njerëzit e humbasin interesin e tyre dhe nuk arrijnë të lexojnë përfundimin, pra atë çka keni dashur të thoni. Kjo ndodh edhe me e-mailet, kur zgjateni dhe jepni sqarime të tepërta, njerëzit nuk i kushtojnë shumë rëndësi leximit dhe mund ta humbasin thelbin e asaj çka keni thënë.
- Shkruani gabim emrin e personit
Të shkruash gabim emrin e personi të cilit po i dërgoni email është e pajustifikueshme, nuk ju kushton asgjë më shumë se sa 2 sekonda për tu siguruar edhe njëherë për emrin e personit. Është më mirë të vonoheni pak për të siguruar informacionin se sa të detyroheni të kërkoni falje me anë të një e-maili tjetër, sepse me siguri nuk do t’ju marrin në konsideratë pas këtij gabimi. Ky gabim kaq i vogël tregon shumë për aftësitë tuaja personale, ndaj sigurohuni që të mos bëni gabime të tilla gjatë dërgimit të një e-maili sepse pavarësisht se sa të vogla janë tregojnë që nuk jeni profesionist.
Viola Hydi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.