“3 lëndë për 6 orë” – Lindita Nikolla, në seancë dëgjimore ditën e hënë mbi mënyrën e zbatimit në shkollë

Nisma më e re e ministrisë së Arsimit Rinisë dhe Sportit “3 lëndë për 6 orë” ka krijuar dyshime dhe skepticizëm për mënyrën e implementimit në shkolla. Lidhur me këtë mosbesim në radhët e prindërve apo edhe vet mësuesve, komisioni për edukimin dhe mjetet e informimit Publik ka thirrur ditën e hënë në një seancë dëgjimore ministren Lindita Nikolla.
Ministrja e Arsimit pritet të sqarojë mënyrën se si do të implementohet kjo nismë e cila do të futet në sistem duke filluar që nga data 1 shkurt .
Më herët ministrja e Arsimit ka sqaruar se pse është pranuar menjëherë propozimi i disa mësuesve dhe prindërve duke renditur si faktor kryesor shmangjen e peshës së çantave të shpinës si edhe rritjen e cilësisë së arsimit.
Vetëm pak ditë më parë zv.ministrja e Arsimit Besa Shahini deklaroi për televizionin SCAN se shtrirja e 1 lende mësimore në dy orë do t’i japë mundësi mësuesve por edhe nxënësve të marrin njohuritë e plota përmes një shpjegimi më të thelluar.
Nisma “3 lëndë për 6 orë” synon zgjatjen e orës së mësimit për një lëndë mësimore nga 45 minuta që është aktualisht në 90 minuta duke mundësuar një pushim 5 minutësh nga njëra orë në tjetrën.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.