3 prioritetet e ambasadores së re të SHBA – Misioni në Shqipëri: Investimet amerikane, kriza politike dhe buxheti i mbrojtjes

Yuri Kim, e nominuara për të qenë ambasadore fuqiplotë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka dhënë dëshminë e saj në Senatin amerikan në Komitetin e Punëve të Jashtme në një dëgjesë të posaçme. Ajo nënvizoi prioritetet kryesore në rast se senati do t`i japë dritën jeshile duke e zgjedhur si ambasadore në vendin tonë.
Si prioritetin numër një ajo ka renditur nxitjen e Shqipërisë në arritjen e objektivit prej 2% të shpenzimeve të PBB për mbrojtjen, siç rrjedh edhe si detyrim i të qenit anëtar i Natos. Kjo është një kërkesë e kahershme e Presidentit Trump për vendet anëtarë, pasi shumë pak prej tyre e respektojnë. Shqipëria është një prej tyre. Prioriteti tjetër sipas saj do të jetë zgjidhja e krizës politike, si dhe lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Menjëherë, unë do të shtyja liderët e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin politik aktual në një mënyrë që të përforcojnë kërkesën e kandidimit të Shqipërisë në BE si dhe pozicionimin më të mirë të Shqipërisë për trë pasur sukses gjatë mandatit në Krye të Zyrës së OSBE-së në vitin 2020. Aspiratat e Shqipërisë në BE – dhe reformat që ato sjellin – do të çojnë në më shumë prosperitet dhe stabilitet për vendin dhe rajonin.
Do ta bëjë Shqipërinë gjithashtu një Aleat më të fortë, më të aftë të Shteteve të Bashkuara. Më thelbësore, unë do të forcoja ndihmën diplomatike dhe të ndihmës së huaj të SHBA për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të inkurajojnë Shqipërinë që të zbatojë plotësisht reformën në drejtësi, të vazhdojë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të krijojë një strukturë speciale të pavarur kundër korrupsionit dhe një Byrosë Kombëtare të Hetimit. Unë gjithashtu do të dyfishoja angazhimin dhe ndihmën teknike amerikane në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar transnacional”, tha ambasadorja e ardhshme e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim.
Ndër të tjera e nominuara si ambasadore e SHBA në vendin tonë ka radhitur si prioritetin numër 3 promovimin e eksporteve dhe investimeve amerikane në vendin tonë.
“Së treti, unë do të punoja për të promovuar eksportet e SHBA dhe investimet e Sh.B.A-së në Shqipëri në mënyrë që të krijoja mundësi si për Sh.B.A ashtu dhe për qytetarët shqiptarë, si dhe të krijoja punë në të dy vendet. Investimet amerikane kërkojnë një klimë mikpritëse biznesi dhe një lojë të barabartë për kompanitë dhe investitorët tanë. Në këtë drejtim, do të nënvizoja se besimi në sundimin e ligjit dhe transparencën janë thelbësore”, u shpreh Kim.
Në rast se senati amerikan do të miratojë kandidaturën e Yuri Kim, atëherë me shumë gjasa në fillim të vitit të ardhshëm, ajo do të “zbarkojë” në Tiranë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.