30% më shumë epidemiologë në terren, Manastirliu: Masa të shtuara me rastin e hapjes së shkollave
Grupet e epidemiologëve në terren janë rritur me 30% për realizimin e hetimit të hollësishëm kundër përhapjes së virusit covid-19. ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu në takimin e zhvilluar me grupet e reja u shpreh se tashmë nga 54 janë në dispozicion 70 ekipe terreni .
“Tashmë në gjithë Shqipërinë nga 54 ekipe terreni, ne kemi rritur me 30% ekipet, duke e çuar në 70 ekipe terreni. Përpos kapaciteteve logjistike të shtuara me 12 njësi lëvizëse, falë edhe bashkëpunimit dhe ndihmës së USAID, pra qeverisë Amerikane.
Ministrja Manastirliu ka theksuar se me hapjen e shkollave në fokus të punës do të vijojë të jetë rritja e kapaciteteve dhe marrja e të gjitha masave për hetimin e rasteve dhe testimin me qëllim izolimin e vatrave të reja.
“Hapja e shkollave do të shoqërohet me një rritje të kapaciteteve, qoftë përsa i përket gjurmimit, hetimit epidemiologjik dhe testimit gjithashtu. Ndaj vendosja e ekipeve të reja është një vlerë e shtuar përsa i përket kapaciteteve të burimeve njerëzore në Njësinë e Kujdesit Shëndetësor. Sigurisht që bashkëpunimi me koordinatorët e shkollave, bashkëpunimi me mjekët, infermierët dhe përgjegjësit në çdo shkollë apo grup shkollash, do të luajnë një rol të shtuar në të gjithë strategjinë e testimit, gjurmimit dhe izolimit të rasteve.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.