300 milionë lekë më shumë – Tatimi mbi të ardhurat personale shënon rekordin në 5 vite

Ndryshimi i mënyrës së taksimit mbi të ardhurat personale po jep efektin e pritshëm në buxhetin e shtetit. Sipas politikës qeverisëse, me vendosjen e kësaj mënyre taksimi shqiptarët që paguhen më pak do paguajnë më pak taksa, ndërsa ata që marrin më shumë do kenë dhe taksë më të lartë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të ardhurat nga ky zë, për 10-mujorin llogariten të jenë në vlerën e 27 miliardë lekëve, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin 26.7 miliardë lekë.
Por si një ndër faktorët që mund të ketë rritur këto të ardhura, sipas specialistëve të financave, është edhe ndikimi i aksionit ndaj informalitetit, ku shumë punonjës u futën në skemën e sigurimeve. Por gjithashtu një efekt pozitiv ka patur dhe deklarimi i plotë i pagave, të cilat për shumë vite nuk ishin deklaruara realisht.
Gjatë një analize të të ardhurave nga ky zë në 5 vitet e fundit rezulton se këto të ardhura janë me rritje nga viti në vit. Kështu në 10-mujorët e këtyre viteve rezulton:
2013 | 23.1 mld lekë |
2014 | 22.6 mld lekë |
2015 | 24.2 mld lekë |
2016 | 26.7 mld lekë |
2017 | 27 mld lekë |
Të ardhurat personale që tatohen mund të kategorizohen në nëngrupe: ato mbi të ardhurat nga paga në sektor publik dhe sektor privat; nga interesat bankare; nga dividendët; nga shitja e pasurive të paluajtshme dhe për burime të tjera të ardhurash. Të ardhurat që vijnë nga tatimi mbi pagat zënë peshën kryesore, në rreth 60%, sa i takon strukturës së vlerave të tatimit të të ardhurave personale. Ndërkohë që “ideja e qeverisë” për ta zgjeruar gamën e këtij tatim shihet në mënyra të ndryshme.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.