31 mln euro nga parajsat fiskale – Zbardhen investimet nga Ishujt Kajman dhe Ishujt Virxhin
Në fund të tremujorit të parë të këtij viti ka arritur në 31.3 milionë euro totali i investimeve direkte të mbërritura në Shqipëri nga Ishujt Kajman dhe Ishujt Virxhin.
Televizioni Scan ka zbardhur treguesit zyrtarë të Bankës së Shqipërisë, sipas së cilës 29.6 milionë euro janë investuar nga Ishujt Kajman, ndërsa rreth 1.6 milionë euro nga ishujt Virxhin të Britanisë.
Parajsat fiskale parapëlqehen nga një numër i madh kompanish nga e gjithë bota për shkak të regjimeve të ulëta të taksave.
Janë veçanërisht kompanitë e vendeve perëndimore, ku regjimet fiskale janë shumë të ashpra, ato që i drejtohen prej vitesh këtyre parajsave për të gëzuar taksa më të lehta.
Greqia është shteti me stokun më të madh të investimeve në Shqipëri, të cilat në total arrijnë në 1.2 miliardë euro. Në vend të dytë renditet Holanda, vlera e aseteve të të cilave shkon në 870 mln euro. Në vend të tretë renditet renditet Kanadaja me 838 milionë euro investime të huaja në Shqipëri.
Në vitin 2016, investimet e huaja arritën në nivelin rekord prej 983 milionë euro. Dy vitet e fundit investimet e huaja janë ndikuar ndjeshëm nga punimet për gazsjellësin TAP dhe ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Devoll.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.