33 kompani në faliment – Lista e pritjes shumë e gjatë, ligji i ri nuk po jep rezultat
Në harkun kohor të një viti Gjykatat kanë miratuar nisjen e procedurave të falimentit për 33 kompani. Shifra konfirmohet për Scan nga burime zyrtare pranë gjyqësorit. Shifra është mjaft e ulët duke parë numrin shumë të madh të kompanive që raportojnë balance negative në tre vitet e fundit të aktivitetit.
Të pyetur nga Televizioni Scan, mbikëqyrësit e falimentit thonë se shkak i numrit të pakët është ndryshimi i ligjit, por edhe mungesa e njohjes së legjislacionit në përgjithësi nga vetë bizneset. Kjo edhe pse ndryshimet ligjore parashikojnë procedura më fleksibël në nisjen e procesit të falimentit dhe likuidimin e ndërmarrjeve.
Ndërkaq vetëm administrate tatimore deri në vitin e shkuar ka kërkuar nisjen e procedurave të falimentit për të paktën 132 kompani, një pjesë e mirë e të cilëve me emra mjaft të njohur në tregun shqiptar. Mes tyre bien në sy subjekte si “CITY PARK”, “BELLE AIR”, apo “ALBATROS AIRËAYS”.
Një pjesë e mirë e këtyre bizneseve janë në pritje që prej tre apo katër vitesh për zbatimin e procedurave të falimentit.
Lorenc Rabeta/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.