“34% e tenderëve zhvillohen pa garë” – Çupi: Problem, edhe fitimi nga oferta më e lartë. Paratë publike përdoren pa eficencë
34% e tenderëve të zhvilluar gjatë vitit 2021 janë zhvilluar me një operator të vetëm, ndërkohë që vlera totale e tyre arrin në 330 mln euro apo 21% e parave publike të prokuruara”.
Të dhënat u bënë me dije nga deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi, gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve mbi veprimtarinë e Komisionit të Prokurimit Publik, duke shprehur shqetësimin për përdorimin pa eficencë të parave publike.
Po ashtu, Çupi tha se për pjesën tjetër të tenderëve, ku marrin pjesë edhe operatorë të tjerë shpallet fitues oferta më e lartë ekonomike, ndonëse kriter ka qenë oferta më e ulët.
Çupi kërkoi përgjigje nga kreu i KPP-së, Jonaid Myzyri, por kryetarja e komisionit deklaroi se këto çështje janë jashtë kompetencave të këtij institucioni.
Diskutimet në komision u fokusuan edhe te fakti se pavarësisht numrit të lartë të ankesave nga operatorët ekonomikë dhe pranimin e tyre nga ana e KPP-së, masat ndëshkimore janë tejet të ulta.
Ndërkohë që, Myzyri sqaroi se legjislacioni në fuqi lejon këtë institucion të marrë masa administrative vetëm në rastet kur autoritetet kontraktore nuk bashkëpunojnë për dhënien e informacionit.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.