348 biznese procedohen penalisht/ Krimi ekonomik kap në shkelje 64 zyrtarë, shpërdoruan detyrën
348 subjekte të gjetura në shkelje janë proceduar penalisht nga Strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë Shtetit si dhe 39 persona janë arrestuar e ndaluar për vepra penale të ndryshme që nga fshehjes e të ardhurave e deri tek skemat mashtruese me tatimin mbi vlerën e shtuar.
Drejtori pêr Krimet Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale, Lutfi Minxhozi ka bëë publike treguesit e këtij institucioni gjatë fushatës antiinformalitet.
Në shkallë vendi janë ushtruar kontrolle në 1,764 subjekte të ndryshme, ndër to 892 shërbime vend-pushimesh, 703 lokale në bregdet, 321 hotele, 8 subjekte karburesh, 55 ndërtime pa leje, 59 raste për territore të pushtuara dhe në 309 subjekte të tjera. •
Janë proceduar penalisht 348 subjekte të gjetura në shkelje dhe materialet i kanë kaluar për ndjekje penale prokurorive të rretheve gjyqësore përkatëse. 39 persona janë arrestuar e ndaluar për veprat penale të “Fshehjes së të Ardhurave”, “Mos lëshim kuponi tatimor dhe ushtrim aktiviteti tregtar të paligjshëm”, “Mospagim i taksave dhe i tatimeve”, “Mos kryerja e detyrave nga organet tatimore”, “Ndryshimi në aparatet matëse”, “Falsifikim i vulave, i stampave dhe formularëve”, “Ndërtim i pa ligjshëm”, “Shkatërrim i pronës”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” deklaroi Lutfi Minxhozi, Drejtor për Krimet Ekonomike e Financiare, Policia e Shtetit.
Po ashtu, janë procedura penalisht zyrtarë të administratës për abuzim me detyrën.
“Në 169 raste, subjekteve u janë vendosur gjoba dhe në 71 raste janë marrë masat e bllokimit të aktiviteti për subjekte të ndryshme nga organet tatimore.
Gjithashtu janë proceduar penalisht 64 zyrtarë të administratës për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, nga të cilët, 42 nëpunës të bashkive, 9 nëpunës të sistemit fiskal, 8 nëpunës të Drejtorive Rajonale të ndryshme, 5 nëpunës të IMT-së. Ndër zyrtarë të administratës janë arrestuar 5 vetë dhe 1 është shpallur në kërkim” tha Minxhozi.
Së fundmi, strukturat e Drejtorisë për Krimet Ekonomike e Financiare në Policisë së Shtetit në bashkëpunim me strukturat e Hetimit Tatimor dhe Prokurorinë e Tiranës, me hetime proaktive kanë identifikuar, zbuluar dhe goditur 3 raste evazioni, vjedhje në përpjesëtime të mëdha dhe ndërtimi skemash rimbursimi të TVSH me fatura fiktive.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.