375 milionë lekë investim në sinjalistikat dhe ndriçimin rrugor- FSHZH shpall tenderin
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur një tjetër tender në Agjencinë e Prokurimit Publik, me një fond limit 375 milionë lekë.
Ky investim do të shkojë në përmirësimin e sigurisë rrugore dhe të ndriçimit. Në raportin teknik, FSHZH shkruan se investimet do të kryhen në akse rrugore rajonale dhe lokale, megjithatë nuk është ende e ditur se çfarë zonash do të përfshijë ky projekt.
“FSHZH ka përgatitur një listë paraprake me rrugë në të cilat parashikohet të ndërhyhet për përmirësimin e sinjalistikës rrugore në të gjithë territorin e Shqipërisë. Më anë të këtij programi do të mundësohet trajtimi i disa prej këtyre akseve/seksioneve rrugore, bazuar në fondin e parashikuar për këtë qëllim” shkruan Fondi Shqiptar i Zhvillimit në dokumentet e tenderit.
Sipas detajeve të projektit, punimet parashikojnë tre kategori ndërhyrjesh në trupin e rrugës: sinjalistikën vertikale, sinjalistikën horizontale, ‘Guard Rail’ si dhe ndriçimin rrugor.
Investimi pritet të sjellë rritje të sigurisë rrugore, të impaktojë cilësinë e jetës së banorëve të zonës si dhe të përmirësojë shërbimet komunitare.
Tenderi do të qëndrojë i hapur deri më 19 shtator dhe sipas detajeve të tenderit, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues, punimet do të nisin dhe përmbyllen brenda një afati 20 mujor.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.