4.6 mld lekë më shumë se 2016 – Të ardhurat nga fondet speciale arrijnë në 57.2 mld lekë

Të ardhurat nga fondet speciale, ku përfshihen sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore, në buxhetin e shtetit janë rritur këtë vit. Kështu referuar të dhënave zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave, rezulton se të ardhurat në buxhetin e shtetit nga zëri i fondeve special është 4.6 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Për 8 mujorin e këtij viti janë mbledhur përkatësisht 57.2 miliardë lekë, ose 69 % e planifikimit vjetor. Nga kjo vlerë, 48.6 miliardë lekë janë mbledhur nga sigurimet shoqërore, që zënë dhe peshën më të madhe të tyre, ndërsa 7.7 miliardë lekë janë arkëtuar nga sigurimet shëndetësore.
Një vit më parë të ardhurat e arkëtuara në buxhetin e shtetit nga fondet speciale ishin në masën e 52.6 miliardë lekë. Por kjo skemë vazhdon të financohet nga buxheti i shtetit, ku shpenzimet për këtë zë për këtë periudhë janë në vlerën e 105.6 miliardë lekëve.
Aksioni ndaj informalitetit i nisur dy vite më parë nga qeveria dha efekte pozitive në skemën e sigurimeve shoqërore. Nga përfaqësues të qeverisë është deklaruar se gjatë këtij viti ka patur mijëra persona më shumë të deklaruar si të punësuar dhe që paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore.
Por sipas analizave të bëra këto nuk janë të gjitha vende të reja pune. Disa janë vende të reja pune, të tjerat janë vende pune që janë zbardhur nga puna në të zezë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.