4 matësa inteligjentë për ndotjen – Veliaj: Taksi dhe autobusë elektrikë deri në 2030

4 matës inteligjentë të cilësisë së ajrit do të instalohen në disa pika kryesore të Tiranës dhe përmes dhe qytetarët do të kenë mundësinë që të monitorojnë në kohë reale të dhënat përmes nga aplikacioni “Tirana ime”. Synimi është minimizimi i ndotjes dhe për këtë Bashkia e Tiranës ka marrë angazhimin që çdo muaj të ketë një ditë pa makina.
“Sot planifikojmë lançimin e aplikacionit që mat ndotjen e ajrit në Tiranë në kohë reale, në mënyrë që çdo qytetar, ashtu siç ka akses te kamerat e qytetit, raportimet, trafiku, të ketë akses edhe në këtë informacion. Vendimmarrja për të gjithë ne bëhet më e lehtë nëse të vërtetën e dimë të gjithë”. Matësit e parë që po testohen, janë vendosur në zonën e Kasharit, te “21 dhjetori”, te Rr. e “Elbasanit” dhe te Sheshi “Skënderbej”. Sensorëve inteligjentë do të përçojnë të dhëna në kohë reale, nëpërmjet rrjetit, drejtpërsëdrejti në aplikacionin “Tirana Ime”. Ky informacion, nga njëra anë do të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për një aspekt kaq të rëndësishëm të jetës sonë, siç është cilësia e ajrit, por do t’u shërbejë edhe institucioneve përkatëse si indikator për zhvillimin e strategjive që synojnë uljen e ndotjes së ajrit, mbrojtjen e mjedisit, pra përmirësimin e cilësisë së jetesës në kryeqytet”. – tha Veliaj.
Ndërkaq, për të ulur nivelin e ndotjes në kryeqytet, Bashkia e Tiranës po punon paralelisht edhe me nisma të tjera si zëvendësimi i flotës së autobusëve publike me autobusë elektrikë dhe projekti për mbjelljen e 2 milionëve pemëve të reja deri në 2030.
“Përveç 2 milion pemëve, kemi vendosur si target që 100% e taksive të jenë elektrike ose hibride brenda vitit 2025. Në fakt, mbi gjysma e taksive që operojnë sot në Tiranë janë elektrike ose hibride. Ndaj, besoj se do ta kapim targetin e OBSH-së shumë më herët”, theksoi ai. Ndryshim do të pësojë edhe transporti urban, ku shumë shpejt në rrugët e kryeqytetit do të lëvizë flota e autobusëve elektrikë. “100% e autobusëve do të jenë elektrik brenda vitit 2030, një operacion që e fillojmë tani dhe kemi 11 vite kohë ta realizojmë”, -tha Veliaj.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku Veliaj pasqyroi rezultatet e shënuara nga aplikacioni “Tirana ime” në këto 3 vite, duke renditur mbi 90,000 shkarkime, 3 milionë vizita në app, 23,000 raportime nga qytetarët.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.