4 mijë biznese u fshiheshin tatimeve – Aksioni anti informalitet mbyll javën e 5-të

Aksioni kundër informaliteti ka mbyllur javën e pestë të tij. Nga të dhënat për 5 javët e para janë përfunduar 10 766 kontrolle, ku pjesa dominuese, rreth 77 për qind janë kontrolle të kryera nga zyra, ndjekur më pas nga vizita fiskale apo verifikimet e bëra në terren.
Sa i përket subjekteve të cilat kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore, pra që kanë kapërcyer nga biznes i vogël në biznes të mesëm, apo kanë ndryshuar kategori brenda biznesit të vogël, sipas DPT janë rreth 1242 të tilla. Në listën e këtyre subjekteve kryeson kryeqyteti me 653 subjekte, pasuar nga Durrësi me 165 dhe Vlora me 102.
Si rezultat i aksionit 3440 subjekte të reja janë regjistruar si dhe janë aktivizuar 671 subjekte të tjera. Pra, janë mbi 4 mijë biznese që deri para fillimit të aksionit, ushtronin aktivitetin duke iu fshehur tatimeve e duke shmangur taksat përkatëse.
Ndërsa, lidhur me mbledhjen e detyrimeve të prapambetura, rreth 2245 subjekte kanë reaguar pozitivisht dhe vlera kap shifrën 1 miliard e 629 mijë lekë.
Gjithashtu vazhdon procesi i fshirjes së detyrimeve për periudhën para vitit 2010 dhe atë 20111-2014. Sipas të dhënave të DPT, shuma e detyrimit të falur ka arritur vlerën e 13 038 miliardë lekë. Ndërsa përdorimi i kredisë për shlyerjen e detyrimeve rezulton të jetë 1 516 miliardë lekë.
Po ashtu, janë evidentuar rreth 13 807 subjekte, ku 22 për qind e tyre kanë rezultuar në shkelje. Gjatë këtij aksioni 5 javor, rreth 680 punonjës janë konstatuar të padeklaruar si dhe janë mbyllur 370 subjekte të paregjistruara.
Numri i tatimpaguesve të kontaktuar për ligjin e faljeve rezulton të jetë 6 939, ndërsa numri i vizitave këshilluese të përfunduara është 7 338.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.