40 mln euro kredi për HEC Fierzë – Marrëveshja në Kuvend: Mungesa e investimeve, rrezikohet dështimi total i HEC-it
Qeveria do të marrë 40 mln euro kredi për rehabitimin e hidrocentralit të Fierzës. Marrëveshja e kredisë me KFW-në gjermane ka mbërritur në Kuvend për miratim, ndërsa bazohet në një marrëveshje të nënshkruar 1 vit më parë. Sipas realcionit shoqërues, gjendja teknike e agregateve të këtij hidrocentrali është e tillë që kërkon nevojë urgjente për rehabilitim.
“Nëse ky projekt nuk do të zhvillohet, është shumë i lartë rreziku që të kemi një dështim total të HEC-it Fierza në të ardhmen afatshkurtër e, si rrjedhojë, vendit do t ́i mungojë mesatarisht 1,568,247 MWh energji elektrike në vit, e cila prodhohet nga ky hidrocentral”,-thuhet ndër të tjera në dokument.
“Kjo energji e munguar do t’i detyrojë kompanitë e sektorit elektroenergjetik t’i drejtohen tregut rajonal, duke rritur kështu riskun për përballje me çmime të larta të blerjes së energjisë, e cila mund të reflektohet edhe në nevojën për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët e, për rrjedhojë, në cenimin e mirëqenies së tyre”, shtohet më tej. Sipas relacionit, me zbatimin e këtij projekti do të kemi një rritje të prodhimit të energjisë elektrike nga ky hidrocentral, me të paktën 53 GWh/vit si dhe rritje të eficencës në prodhim me të paktën 4%.
Sipas marrëveshjes, kredia prej 40 mln euro do të shlyhet për një periudhë 26-vjeçare.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.