400 hetime për karta false vaksinimi për Covid – Autoritetet franceze përballë rasteve të shumta të mashtrimit!

Franca ka hapur 400 hetime në rrjete që ofrojnë karta false vaksinimi për COVID-19, tha ministri i brendshëm, pasi shtrimet në spital të lidhura me virusin po rriten ndjeshëm në të gjithë vendin.
Rasti i një gruaje me virusin që vdiq në një spital rajonal të Parisit pasi kishte treguar një certifikatë të rreme vaksine ka tërhequr vëmendjen në mediat franceze ditët e fundit. Shefi i kujdesit intensiv të spitalit tha se ata do t’i kishin dhënë gruas trajtim të menjëhershëm me antitrupa nëse do ta dinin që ajo nuk ishte e vaksinuar.
Autoritetet kanë identifikuar disa mijëra certifikata false shëndetësore për COVID-19 në përdorim në të gjithë Francën, tha Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin dhe se rreth 400 hetime janë hapur për shitjen e kartave false, duke përfshirë disa “të lidhura me profesionistët e shëndetësisë” por nuk deklaroi se sa persona janë arrestuar deri më tani, e as nuk dha detaje.
Qeveria po shtrëngon rregullat për lejet, të nevojshme për të hyrë në të gjitha restorantet dhe një numër në rritje të ngjarjeve dhe ambienteve. Për të marrë një të tillë, njerëzit duhet të tregojnë prova të vaksinimit të plotë, një test negativ virusi më pak se 24 orë i vjetër ose shërim recent nga COVID-19.
Me më shumë infeksione të konfirmuara në një ditë javën e kaluar se në çdo moment tjetër të pandemisë, Franca po përshpejton përpjekjet për injeksione përforcuese me shpresën se kjo është e mjaftueshme për të ulur presionin mbi spitalet. Gjysma e njësive franceze të kujdesit intensiv janë të zëna nga pacientë me virus, disa rajone po vonojnë përsëri operacionet jourgjente dhe më shumë se 100 njerëz me virus po vdesin çdo ditë.
Qeveria mbylli klubet e natës dhe shtrëngoi masat e distancimit social, por po përpiqet të shmangë një bllokim të ri. Ministri i Shëndetësisë Olivier Veran u shpreh se ndërsa “vala e epidemisë është e dhunshme”, ka shenja se rritja ka filluar të ngadalësohet. Ai tha se 90% e njerëzve mbi 65 vjeç kanë marrë injeksione përforcuese deri më tani.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.