422 milionë euro investime publike – 9-mujori/ Më të lartat në 5 vite, ndikim tërmeti dhe zgjedhjet
Përpos rritjes së të ardhurave, duket se qeveria ka “liruar dorën” edhe në kahun e shpenzimeve kapitale. Kështu sipas të dhënave zyratre nga Ministria e Financave, për investime në 9 mujorin parë të vitit kanë shkuar 51.3 miliardë lekë apo rreth 422 milionë euro. Dhe pse në një vit pandemik, shifra rezulton më e larta në 5 vitet e fundit, duke e marrë në analizë që nga viti 2017.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rritja është rreth 20 milionë euro, ndërsa në raport me 9-mujorin 2019, kur vendi nuk ishte prekur as nga kriza e pandemisë por as nga tërmeti, rritja është afro 81.5 milionë euro. Ndikimin më të madh e ka dhënë program i rindërtimit, i cili nisi të zbatohet që vitin që lam pas dhe po vijon, duke rikuperuar pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit 2019, si dhe zgjedhjet e përgjithshme, të cilat kanë nxitur investimet elektrortale përgjatë kësaj periudhe.
Megjithatë në krahasim me me planin, investimet rezultojnë të jenë realizuar në masën 59.6 për qind. deri në fund të vitit, janë parashikuar të investohen në punë publike rreth 104.3 miliardë lekë. Shqetësimin e rritjes me shpejtësi të investimeve publike që nuk lidhen me tërmetin e ka vënë në dukje edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në deklaratën e fundit, pas përmbylljes së misionit, ku shprehej se problematike në këtë pikë është mungesa e transparencës mbi tejkalimin e kostove dhe afateve fillestare. FMN ka kërkuar transparencë të shpenzimeve publike, dhe moderim të investimeve publike me financim të brendshëm.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.