44.56% e qytetarëve, kanë marrë 1 dozë vaksinë – Shifrat e vaksinimit për COVID-19/ Vetëm 7.81% e popullsisë, me dozë përforcuese

44.56% e popullsisë në vendin tonë kanë marrë një dozë të vaksinës për COVID-19, ndërkohë që me të dyja dozat është vaksinuar 41.68% e popullsisë. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të përpunuara nga TV SCAN shifrat janë më të ulta për qytetarët që kanë marrë edhe dozën e tretë, që njihet ndryshme si dozë përforcuese, pasi deri në datën 14 shkurt janë 221, 173 doza të treta apo 7.81% e popullsisë. Këto shifra ndryshojnë, nëse i përllogarisim sipas grupmoshës target, që është çdo qytetar mbi moshën 16 vjeç.
Më konkretisht, rezulton se 1 dozë e ka marrë 53.38% e qytetarëve që I përkasin këtyre grupmoshave, 49.92% janë vaksinuar me të dyja dozat, ndërsa doza e tretë është marrë nga 9.36% qytetarë të moshës mbi 16 vjeç. Paralelisht, mjekët e familjes kanë nisur edhe evidentimin e qytetarë shqiptarë të vaksinuar plotësisht jashtë vendit, duke i përfshirë në shifrat e raportimit ditor, që bëhet nga MSHMS. Përveç qytetarëve mbi 16 vjeç, vaksinimi është i hapur edhe për fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar, me rekomandim nga mjeku.
Ndërkohë që, përmes një postimi në rrjetet sociale, mjeku Ilir Alimehmeti ka sjellë në vëmendje rastet se kur duhet të kryehet doza e tretë e vaksinës. Sipas mjekut, nëse e ke kaluar sëmundjen përpara apo pas dy dozave të vaksinës, nuk ka nevojë për dozë të tretë, me përjashtim të disa personave që mund të kenë kryer transplante apo që kanë sëmundje të rënda imunitare.
Po ashtu, sipas Alimehmetit, doza e tretë është e rëndësishme për t’u bërë në moshat më të mëdha, mbi 55 vjeç ndërsa te moshat më të reja vetëm nëse janë persona të sëmurë apo që dëshirojnë ta bëjnë për arsyet e tyre personale, ndërkohë që vaksina që duhet përdorur për dozë të tretë, nëse nevojitet, është Pfizer (ose Moderna atje ku është e disponueshme). Sipas MSHMS-së, vaksina mund të merret në qendrën shëndetësore ose në pikën më të afërt të vaksinimit të përqëndruar, ndërkohë që doza e tretë mund të kryehet nga ana qytetarë që kanë kaluar 6 muaj nga kryerja e dozës së dytë të vaksinës.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.