45.5% e shqiptarëve në varfëri, BB: Jetojnë me më pak se 5 USD në ditë

45.5% e shqiptarëve jetojnë në kushtet e varfërisë. Sipas statistikave më të fundit të Bankës Botërore, për vitin 2016 ende afërsisht gjysma e shqiptarëve jetonin me më pak se pesë dollarë amerikanë në ditë. Ndonëse ngelet ende mjaft e lartë, shkalla e varfërisë ka shfaqur një tendencë të lehtë rënëse gjatë viteve të fundit.
Sipas Bankës Botërore, shkalla e varfërisë ka zbritur me 1.7 pikë përqindje në tre vjet, nga niveli prej 47.2% ku qëndronte në vitin 2013. Në vitet e fundit, përmirësimi i rritjes ekonomike dhe i treguesve të punësimit duket se ka dhënë disa efekte të vogla në uljen e shkallës së varfërisë.
Burimi i të dhënave dhe mënyra e matjes nga Banka Botërore nuk është e qartë, po të kemi parasysh se anketa e fundit zyrtare nga INSTAT për matjen e standardit të jetesës në Shqipëri është bërë në vitin 2012.
Megjithatë, edhe përtej këtyre shifrave, mjafton vetëm të llogarisim rreth 607 mijë pensionistë dhe 82 mijë familje që jetojnë me ndihmë ekonomike në vlerë të papërfillshme për të kuptuar se përmasat e varfërisë janë ende tejet të mëdha.
Të ardhurat e këtyre shtresave janë të gjitha poshtë minimumit jetik, që, sipas një studimi të porositur vitin e kaluar nga Avokati i Popullit, llogaritet në 16 mijë lekë në muaj. Deri më sot, asnjë nga dy forcat kryesore politike nuk ka marrë përsipër qoftë edhe të premtojë garantimin minimumit jetik të të ardhurave për shqiptarët.
Ersuin Shehu/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.