46 shtete synojnë paketat turistike shqiptare. Mision biznesi në Tiranë – Klosi: Interes i madh për struktura të reja
Janë 84 tur operatorë që operojnë në 46 shtete të ndryshme të botës, të cilët janë mbledhur në Tiranë për të blerë paketa turistike nga tur operatorët shqiptarë. Në një takim biznesi, ku përfaqësuesit takohen kokë më kokë, këto kompani të sektorit të turizmit do të diskutojnë ofertat turistike të Shqipërisë.
Përurimi i këtij takimi u bë nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili vlerësoi këtë interes të madh për ato çfarë ofron turizmi në Shqipëri, së bashku me tregu rajonal ballkanik, ku ofertat vijnë të koordinuara me ato që vijnë nga Serbia, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia.
“Viti 2018 në Shqipëri do të jetë si asnjëherë tjetër me një bum shumë të madh zhvillimesh turistike dhe ofrimit të turizmit dhe po ashtu kuptoj nga gjithë biznesi lokal dhe ai ndërkombëtar interesin shumë të madh për të krijuar struktura të reja turistike në Shqipëri, të cilat për momentin janë problemi ynë më i madh”, u shpreh ministri, duke nënvizuar kështu mungesën e kapaciteteve si një prej sfidave kryesore që has ky sektor në vendin tonë.
Klosi shtoi më tej se dëshiron që ky interes të konkretizohet përmes lidhjes së kontratave afatgjata mes bizneseve të palës shqiptare dhe asaj të huaj.
“Ne ndihemi shumë mirë që tashmë nga shumë vende të botës ka një interes shumë herë më të madh për burimet e pashtershme turistike që Shqipëria ka. Do të doja shumë që ky vit të vazhdojë me politika që nuk shkojnë më vetëm brenda vitit kalendarik dhe sezonit turistik, por do të shkojnë në kontrata afatgjata në kontrata të dekadës së re turistike të vendit tonë”, u shpreh Klosi.
Shqipëria ka vënë një funksion një mekanizëm për të shtrirë sezonin turistik shqiptar përtej atij veror, duke mos shërbyer më vetëm si destinacion i detit dhe rërës, por duke prezantuar edhe elementë të tjerë që qëndrojnë gjatë gjithë vitit si agroturizmi.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.