5 destinacionet me vendasit më miqësorë në botë
Arkitektura, kultura, kuzhina dhe klima sigurisht që luajnë një rol të rëndësishëm, por njerëzit janë zemra e vërtetë e çdo destinacioni. Një vendas miqësor është shumë herë më mirë se sa një udhërrëfyes turistik, pasi nuk ka më mirë se të të drejtojë një banor i qytetit drejt perlave të fshehura, pikave më pak të njohura dhe drejt vendeve vërtet cilësore, për të të zbualuar natyrën e vërtetë të një qyteti.
Këto janë pesë destinacione ku njerëzit janë aq miqësorë sa të gjithë duan të dinë emrin tënd.
Dublini
Kryeqyteti i Irlandës është i njohur për bisedat e zhurmshme nëpër kafene dhe mburrjet, por gjithashtu edhe për mikpritjen e vendasve. Një gotë birrë, muzikë e mirë dhe plot miq të rinj do të jetë me shumë gjasa aventura juaj në këtë qytet. Shumica e udhëtarëve e rekomandojnë këtë vend për atmosferën që ofrojnë pub-et, muzikën live dhe peizazhin e përgjithshëm të qytetit. Irlandezëve u pëlqen shumë të tregojnë histori, por nuk do ta ndjeni kohën duke biseduar me ta.
Edhe nëse keni nevojë për të shkuar diku në qytet, apo keni nevojë për asistencën e dikujt, në pak sekonda do të gjeni dikë të gatshëm për t’ju ndihmuar.
Liverpool
Reputacioni i Liverpulit për miqësinë jo vetëm është i fituar, por edhe i provuar. Qyteti është votuar si i katërti për më miqësorët në botë, ndaj nuk do të keni asnjë problem për të gjetur vendas që t’ju orientojnë tek vendet që ia vlen vërtet të vizitoni, madje do të vijnë vetë tek ju edhe nëse nuk i kërkoni.
Qyteti anglez preferohet shumë për të bërë Pazar, për të vizituar muzetë e galeritë e artit, si edhe për jetën e natës.
Shumë udhëtarë tregojnë histori për banorë të Liverpulit që i bëjnë menjëherë miq, e me të cilët ia vlen të mbajnë kontakte edhe më pas.
Glasgow
Një sondazh botëror e quajti Glasgoun qytetin më miqësor në botë. Dhe në të vertëtë ata janë, mjafton mos t’u përmendësh ekipet e futbollit Rangers dhe Celtic.
Arkitektura viktoriane e qytetit skocez do t’ju lërë më tepër mbresa, së bashku me qendrat tregtare, muzetë dhe restorantet e shkëlqyera. Ashtu si në të gjithë ishullin, moti mund të jetë një problem, por argëtimet sigurisht që nuk mungojnë as atëherë. Kurdo që ta vizitoni Glasgoun, do të dëshironi të riktheheni përsëri.
Sevija
Atmosfera e qytetit është shumë e vështirë për t’i rezistuar, pasi është e mbushur me energji. Udhëtarët që pëlqejnë argëtimin nuk ngopen dot me jetën e natës në të freskët, skenat vibrante të flamengos dhe banorët entuziastë.
Qyteti është i mbushur me monumente dhe katedrale, por i ndërthurrur shumë bukur me jetën rinore. Mjafton të shkoni në një bar ku bëjnë tapas, një nga ushqimet më të shijshme që ekzistojnë, dhe disa gjeste me dorë dhe një buzëqeshje do t’ju ndihmojë të mposhtin çdo barrierë gjuhësore.
Sheshi Del Salvador shndërrohet natën në një shëtitore ku mblidhen të gjithë banorët e turistët për të shijuar një birrë të ftohtë dhe shoqërinë e miqve.
Lisbona
Lisbona është i njohur si qyteti i tolerancës “A cidade da Tolerancia”, pasi në të pasqyrohen shumë kultura. Është një qytet magjepsës me njerëz magjepsës, të gatshëm për të biseduar me ty edhe nëse sapo i ke takuar.
Nëse doni të shijoni qytetin, të njihni njerëz dhe të bisedoni, atëherë tramvaji që kalon nëpër qytet është një vend i mirë për t’ia nisur. Më pas me miqtë e rinj vendas apo turistë mund të shkoni në plazhin e qytetit.
Plazhi shndërrohet disa herë gjatë ditës: nga një hapësirë për të marrë rreze e për t’u larë në mesditë, në një zonë romantike e mbresëlënëse gjatë mbrëmjeve, e deri në një zonë të mbushur me muzikë ritmike dhe plot njerëz që shkojnë në party sapo ora kalon dymbëdhjetën.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.