5 mësime që do të donit të kishit mësuar më herët në karrierën tuaj.

Kur dini atë që dini tani, shpeshherë ju bën të reflektoni për ditët e para në karrierën tuaj profesionale. Tani që dini këto që dini do të donit të kthenit pas kohën e të mos e vrisnit aq shumë mendjen për gjëra të kota. Nuk duhet ta mohojmë që kur e kthejmë kokën pas dhe mendojmë për karrierën tonë, pyesim veten se pse i morëm ato vendime që morëm.
Ditët e para të karrierës suaj, me siguri jeni ndjerë sikur kurba e të mësuarit nuk do të mbarojë kurrë. Me siguri e keni shtyrë veten në një presion të jashtëzakonshëm pa qenë aspak nevoja. Këtu mund të gjeni 5 mësime që ekspertët kanë treguar se herët a vonë gjithkush i mëson në karrierën e tij.
- Ai/Ajo që bërtet më fortë nuk do të thotë që dëgjohet më shumë
Çdokush në fillim të karrierës së tij kërkon të fitojë autoritet, e shpeshherë duke mos ditur se si të veprojë fillon të ngrejë zërin. Në ato momente mendon se ky qëndrim i pamëshirshëm është i nevojshëm në mënyrë që t’ju vënë re në atë mjedis konkurrues, e ta merrni promovimin që keni kërkuar. Por kur vitet kalojnë kuptoni se njerëzit që bërtasin apo ngrenë zërin jo vetëm që nuk krijojnë një mendim pozitiv ndaj jush, por tregon se ju jeni duke u përpjekur të fshihni një dobësi tuajën duke u maskuar me agresivitet.
- Pyetjet nuk ju bëjnë budalla
Shpeshherë stepeni së bëri pyetje pasi mendoni se do të ngjani si budallenj, por bërja e pyetjeve themelore mbase mund ti lehtësojë mjaftueshëm ditët tuaja stresuese. Ajo që ekspertet kanë zbuluar është se punonjësit më të zellshëm dhe efektivë bëjnë pyetje. Këta njerëz nuk janë të frikësuar se si do të ngjanin nëse i bëjnë këto pyetje, apo se si pyetjet e tyre do të perceptohen.
- Shkëmbimi i njohurive tuaja krijon një situatë të favorshme
Duke ndarë më shumë informacion dhe ide do t’ju ndihmonte në krijimin e një kulture të shkëmbimit të njohurive. Megjithatë ka një pikë në karrierën e çdo njeriu ambicioz, ku informacioni shihet si fuqi, pra duke e mbajtur atë për veten tuaj shihet si një ide e mirë. Sepse ju nuk mund ti lini sekretet tuaja të dalin të gjitha nga qesja apo jo? Por nëse të gjithë janë duke bërë të njëjtën gjë, si mundet dikush të mësojë dhe përparojë?
Ka shumë mundësi që ju të ndani njohuritë tuaja sepse duhet të kuptoni se ndarja e ideve, informacionit si dhe eksperiencave mund të çojë në suksesin e ekipit i cili do të reflektohet edhe te ju në të ardhmen.
- Udhëheqja nuk është vetëm fusha e njerëzve të lartë
Udhëheqja është një cilësi më tepër se sa aftësi. Gjatë ditëve të para të karrierës suaj të gjithë keni takuar njerëz të lartë por që jo domosdoshmërish kanë aftësitë e udhëheqjes, por mbajnë pozicionet e pushtetit. Këta njerëz kryesisht rrinë ulur në zyrat e tyre duke dhënë vetëm urdhra në vend që të kuptojnë fuqinë punëtore të tyre dhe se si të marrin maksimumin prej tyre. Morali i kësaj historie të shkurtër është të mbani mend se në qoftë se ju doni të përparoni më tej, do të duhet të tregoni cilësitë e lidershipit, duke përfshirë ndarjen e lartpërmendur të njohurive.
- Kjo është ajo që impresionon me të vërtetë shefin tuaj
Në fillimet e karrierës suaj ju me siguri keni menduar të rrini shpesh herë dhe me orar të zgjatur në punën tuaj, në mënyrë që të impresiononi shefin. Ndonjëherë keni lënë dhe jetën tuaj personale për shkak të impenjimeve në punë e për të impresionuar shefin tuaj. Por vite më vonë keni kuptuar se e ndenjura në punë me orar të zgjatur nuk është ajo çka e impresionon shefin tuaj. Të qenit produktiv është shumë e rëndësishme në punë, madje shpeshherë është e nevojshme të shkëputeni për një pushim në mënyrë që të ktheheni në punë të freskët e të gatshëm për të punuar sërish me të njëjtin intensitet.
Viola Hydi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.