5 pyetje, 5 sfida, 5 mundësi
Nga Enio Civici
2017 nuk është një vit si të tjerët. Pyetjet dhe sfidat që ky vit do të shtrojë në ekonominë, politikën dhe popullsinë botërore nuk janë të pakta. Tek sa planeti i drejtohet një situate të paqartë dhe diametralisht të kundërt me 2 dekadat e fundit, kurioziteti dhe frika gjenden pranë secilës ide apo mendim. Përtej krizës financiare të periudhës 2007-2014, e cila jo vetëm goditi qytetërimin aktualisht më të fuqishëm perëndimor, por evidentoi dhe dobësitë strukturore të tyre, terrorizmi në 48 muajt e fundit është shfaqur në dyert dhe dhomat e Europës, sigurisht pa harruar SHBA-të dhe Turqinë si objektiva të majme.
Në këtë përshtjellim qëndrimesh, të cilat e vënë të parën sigurinë por pa harruar zhvillimin, Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të jenë jashtë arsyes për të ekzistuar. Kjo jo vetëm në kontekstin e një shteti relativisht të ri dhe pak të sprovuar, por gjithashtu si një lojtar ekstremisht i rëndësishëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, shqiptarëve dhe Shqipërisë i shtrohen disa sfida apo detyra, cilësoni sipas dëshirës, gjatë 12 muajve të ardhshëm.
E para është përballja me procesin demokratik më të thjeshtë dhe integral në botë, por që në Shqipëri kthehet në një devijim anormal të zhvillimit. Zgjedhjet. Këtë vit, për të dytën herë në historinë e pluralizmit politik dhe “ekonomik” të vendit tonë pas vitit 90’, struktura administrative dhe shoqërore do të përballet me dy procese zgjedhore njëri pas tjetrit. Presidenti dhe Kryeministri do të duhet të zgjidhen në intervalin kohor prej 90 ditësh. Në këto kushte është e rëndësishme që të shmanget “shthurja fiskale” e qeverisë aktuale si dhe të parandalohen kontraktimet dhe tenderimet e devijuara nga rendi normal i tregut dhe të pozicionuara si patericë e procesit zgjedhor. Është imperative që karakteri financiar i Shqipërisë të qëndrojë i pavarur dhe zhvillimor, larg proceseve elektorale dhe politike.
Çështja e dytë me të cilën do të duhet të përballen shqiptarët dhe fryma e tyre sistematike është mungesa që nga fundshkurti i pranisë së Fondit Monetar Ndërkombëtar, si organ detyrues sipas famës së “artikullit 4”. Nëse kujtoni vitet 2008-2013, tek sa ishim nën të njëjtin regjim thjesht “këshillues” me FMN, borxhi ynë publik u rrit me mbi 9%, papunësia u kthye vartëse e humorit të punëve publike, ndërsa rritjet në investime dhe fonde pagash nuk ishin të mbështetura në kapacitetet reale të prodhimit dhe tregtisë shqiptare. Maturiteti dhe serioziteti shtetar në Shqipëri, i cilësdo forcë apo grupimi politik, nuk është ende i përgatitur për të drejtuar aspektin fiskal dhe makroekonomik të vendit pa udhëzimet e institucionit të ashtuquajtur “me dorë të hekurt”.
Sfida e tretë e cila gjithashtu e konsideron të pandarë sjelljen publike politiko-ekonomike të shoqërisë është qëndrimi përpara kërkesave të BE për të hapur negociatat. Rishikimi i politikave të zgjerimit nga kontinenti i vjetër është këmbana e cila i bie adoptimit të kulturës së punës, administratës dhe vendimeve europiane të shqiptarëve dhe jo dëshirës dritë shkurtër thjesht për tu integruar.
Së katërti, qëndron tregu i zhvilluar financiar dhe mundësia për të gëzuar një sistem shkëmbimi të kapitalit i cili ushqen dhe bashkon perspektivën përparuese të vendit me kapacitetet monetare dhe prodhuese të tij. 2017 do të jetë viti në të cilin do të licensohet dhe do të operojë Bursa e parë shqiptare me kapital privat, pjesë integrale e bursave të Europës Jug Lindore. Mundësia që po i jepet jo vetëm tregut, bizneseve dhe individëve në Shqipëri nëpërmjet kësaj burse është treni i vonuar që duhet kapur dhe mbështetur nga të gjithë ne.
Së fundmi, por aspak nga rëndësia, qendron dhe tema së cilës i është dedikuar ky numër i SCAN Magazine, rritja e interesave. 2017, fillimisht nga Rezerva Federale, më pas nga Banka Qendrore Europiane dhe në fund deri në Bankat Qendrore të Shqipërisë dhe rajonit pritet të konsiderojnë rritjen e normës bazë të interesit. Ky rikthim i normave të pranueshme të interesit do të rrisë jo vetëm opsionet e investimit të parave nga depozituesit, por do të rikthejë dhe sjelljen proaktive të sistemeve bankare kundrejt kreditimit dhe mbështetjes së projekteve kombëtare dhe private.
2017 nuk është një vit si të tjerët e për pasojë sjellja jonë duhet të jetë në lartësinë e tij, ekonomikisht, financiarisht, politikisht dhe njerëzisht.
SCAN MAGAZINE
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.