5 skenarët e mundshëm se si mund të evoluojë pushtimi rus i Ukrainës!
Ka kaluar saktësisht një muaj nga fillimi i luftës në Ukrainë, e cila filloi me pushtimin rus të vendit. Pas ditëve të para të konfliktit, avancimi i trupave të Moskës, megjithëse bombat dhe raketat vazhduan të binin pandërprerë, shpejt filloi të ngadalësohej: aq shumë saqë bëhet e vështirë të kuptosh plotësisht se cili është plani dhe strategjia e Moskës. “Lufta e Putin ka dështuar”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë po atëherë, si do të evoluojë lufta?
Pesë skenarë të ndryshëm të mundshëm:
E para është se Rusia së shpejti do ta gjejë veten duke rritur bombardimet e saj ajrore: megjithëse numrat zyrtarë nuk janë të disponueshëm (edhe nëse burimet e inteligjencës supozojnë rreth 10 mijë vdekje), humbjet ruse kanë filluar të ndjehen. Kjo do të shpjegonte ngadalësimet në avancimin tokësor dhe pse Moska mund të vendosë të përqendrohet më shumë në bombardimet ajrore mbi qytetet kryesore nga pikëpamja strategjike.
Skenari i dytë është se në realitet, qëllimi i Moskës ka qenë gjithmonë të thithë zonat lindore të Ukrainës, siç është Donbass, i cili që nga viti 2014 në fakt kontrollohet nga separatistët. Luftimet në Kiev, në të cilat është përqendruar pjesa më e madhe e vëmendjes së medias dhe ndërkombëtare, do të shërbenin në këtë kuptim më shumë se çdo gjë tjetër për të rrethuar forcat ukrainase që po përpiqen të mbrojnë rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, duke i sulmuar ato nga tre fronte të ndryshme.
Një skenar i tretë, i kundërt me atë që shumë analistë ia atribuojnë planeve fillestare të Putin, është ai i një lufte të gjatë dhe një konflikti që zgjat për disa vjet. Në tryezën e bisedimeve, nga ana tjetër, Moska vazhdon të vendosë kushte që do të ishin të papranueshme për Kievin, si çmilitarizimi total i vendit dhe marrja e statusit neutral, njohja e Krimesë si territor rus dhe i republikave separatiste si territore të pavarura, braktisja totale e çdo aspirate për anëtarësim në NATO. Në një situatë të tillë, shumë janë skeptikë për shanset reale të suksesit të negociatave, të cilat mund të zgjasin për disa vite të gjata.
Ose, “deportimi” i qytetarëve ukrainas në Rusi mund të bëhet gjithnjë e më i vërtetë (dhe ky do të ishte skenari i katërt). Kjo është, pjesërisht, ajo që po ndodh në Mariupol, një nga qytetet më të prekura nga sulmet ajrore ruse: ndërsa Moska vazhdon të shkatërrojë qytetin, ajo ka krijuar gjithashtu korridore humanitare për civilët, të cilët megjithatë i kanë çuar drejtpërdrejt në Rusi. “Ajo që pushtuesit po bëjnë sot është e njohur për brezat e vjetër, të cilët panë tmerret e Luftës së Dytë Botërore,” tha kryebashkiaku i Mariupolit Vadym Boichenko, duke iu referuar hakmarrjeve kundër civilëve që u dëbuan në Siberi ose në zonat më të largëta të vendit.
Në fund, përkundrazi, mund të ketë një eksod masiv drejt Perëndimit. Është skenari i pestë dhe i fundit, i cili kujton se si 3.5 milionë ukrainas janë larguar tashmë nga vendi i tyre për t’i shpëtuar luftës. Megjithatë, brenda vendit, të zhvendosurit do të ishin tashmë 10 milionë. CNN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.