50 milion dollarë për rrugët në fshatra, përfitime për 80 mijë banorë! Në Kuvend, huaja e Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim

Kuvendi ka planifikuar të votojë në seancën plenare të 23 korrikut projektligjin që ratifikon marrëveshjen e huasë me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim për 50 milion dollarë që do të përdoren për rehabilitimin e rrugëve që lidhin fshatrat e zonat rurale me qendrat agrobujqësore dhe të turizmit.
“Nevoja për akordimin e këtij financimi lind referuar problematikave infrastrukturore dhe nevojës për përmirësim në rrugët lidhëse rajonale, potencialit turistik që kanë zonat e projektit, si dhe vlerësimit të prioriteteve të qeverisë shqiptare me fokus zhvillimin e infrastrukturës.
Efektet e pritshme që ky projekt pritet të sjellë janë, si më poshtë:
-Rehabilitimi i rrugëve rajonale dhe lokale, duke ofruar një lidhje më të mirë dhe më të sigurt me rajonet e përfshira ku jetojnë e punojnë rreth 80 000 (tetëdhjetë mijë) banorë
-Përmirësimi i klimës së qëndrueshmërisë në rrjetin rrugor, çka do të ndihmojë në përfitimin e një aftësie të qëndrueshme dhe të dëshiruar në sigurimin e shërbimeve të trasportit.
-Forcimi i kapaciteteve të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe bashkive të këtyre rajoneve për të menaxhuar projektet e ndërtimit të aseteve rrugore, në drejtim të një prioritizimi më të mirë të investimeve dhe aktiviteteve të mirëmbajtjes” evidentohet në raport.
Afati i fundit për tërheqjen e fondeve në kuadër të kësaj marrëveshjeje huaje është data 31 dhjetor 2022.
Huaja që akordohet nëpërmjet kësaj marrëveshjeje ka termat financiarë të mëposhtëm:
Shuma: 50 000 000 USD
Interesi: bazuar në normën e referencës + marzh të pandryshueshëm;
Tarifa Front-end: 0.25% e shumës së huas;
Komision angazhimi: 0.25% që përllogaritet mbi vlerën e padisbursuar të huas;
Maturimi: 29.5 vjet duke përfshirë periudhën prej 6 vitesh pa pagesë principali.
Projekti është pjesë e parashikimeve të programit buxhetor afatmesëm 2018 –2020 të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.