50 milionë dollarë për rrugët rajonale në Shqipëri – BB miraton projektin. Përfitojnë 80 mijë banorë

Banka Botërore miratoi një projekt prej 50 milionë dollarësh, të cilët do të shkojnë për lidhjen e rrugëve rajonale dhe lokale në të gjithë territorin e vendit.
Projekti do të financojë rehabilitimin e rreth 55 kilometrave rrugë rajonale dhe lokale, çka përkthehet në përmirësimin e lidhjes dhe sigurisë rrugore për rreth 80 mijë banorë.
Programi për vitin e parë të projektit përfshin tri segmente rrugore: Fier-Seman, Pogradec-Tushemisht dhe Qafë Thore-Theth. Këto segmente rrugore janë përzgjedhur për shkak të rëndësisë në zhvillimin e turizmit ose bujqësisë. Rehabilitimi i rrugëve do të përfshijë edhe zgjidhje të përshtatjes ndaj kushteve klimatike që lidhen me përmbytje apo rrëshqitje dheu. Projekti gjithashtu do të nxisë punësimin e grave në sektorin e rrugëve në Shqipëri.
“Projekti i ri do të fokusohet në prioritizimin e atyre ndërhyrjeve që sjellin përfitim më të madh ekonomik duke mbështetur sektorë produktivë, në veçanti bujqësinë dhe turizmin”, tha Maryam Salim, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri. “Zhvillimi i turizmit do të përfitojë nga përmirësimi i rrugëve që çojnë drejt destinacioneve ekzistuese apo potenciale turistike. Projekti po ashtu, do të ndihmojë integrimin e fermerëve në zinxhirin agro-ushqimor dhe pjesëmarrjen e tyre në tregje, veçanërisht të grave, të cilat përbëjnë shumicën e forcës së punës në bujqësi në Shqipëri”.
Nevoja për këtë projekt lind nga fakti se kushtet aktuale të gjysmës së rrjetit rrugor rajonal dhe lokal nuk e mbështesin mjaftueshëm aksesin në shërbimet publike bazë apo në aktivitete ekonomike. Kjo gjendje pengon zhvillimin e industrisë së turizmit si dhe të sektorit bujqësor.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.