500 personat më të pasur – Trazira në bursa u kushtoi 35 miliardë dollarë
Personat më të pasur në botë humbën 35 miliardë dollarë ditën e Mërkurë, me tronditjen e tregjeve të kapitalit nga trazirat në Shtetet e Bashkuara, tregon indeksi i miliarderëve i Bloomberg.
Bill Gates, personi më i pasur në botë me një zotërim prej 86 miliardë dollarë, humbi 1 miliardë ndërkohë që aksionet e Microsoft ranë me 2.8%, rënia më e madhe në 1 vit.
Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, i cili për 4 miliardë dollarë kaloi Bill Gates më herët gjatë javës, ra në vend të 3-të pasi rënia me 2.2% në vlerë tregu e Amazon, i kushtoi atij 1.7 miliardë dollarë.
Biznesmeni spanjoll, Amancio Ortega, zotërues i linjës së veshjeve Zara, humbi 355 milionë dollarë, dhe u ngjit në vendin e dytë, me 83.2 miliardë dollarë. Titujt e kapitalit në SHBA rezultuan në performancën më të dobët që prej Shtatorit të kaluar, ndërkohë që indeksi Nasdaq ra me 2.6%.
Themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg pati goditjen më të madhe, duke humbur 2 miliardë dollarë, ndërkohë që aksionet e gjigantit të rrjeteve sociale ranë me 3.3%. Zuckerberg është personi i 5-të më i pasur, sipas indeksit të Bloomberg, me një pasuri prej 62.3 miliardë dollarë.
Donald Trump, miliarderi i parë që bëhet President i Shteteve të Bashkuara, ka një pasuri neto prej 3 miliardë dollarë sipas Bloomberg, dhe nuk renditet në indeksin e 500 personave më të pasur që përditësohet çdo ditë. Ata kanë një pasuri të kombinuar prej 4.9 trilionë dollarë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.