54 milionë euro prona të krimit nën sekuestro – AAPSK: 20 milionë euro pasuri të konfiskuara deri në qershor 2021, ka nisur shitja
Nga 2011 deri në qershor të këtij viti arrin në total 54 milionë euro vlera e aseteve të luajtshme e të paluajtshme të bllokuara për llogari të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara. Scan Televizion ka zbardhur të dhënat e përditësuara të Agjencisë deri më 1 qershor të këtij viti, sipas të cilave, 20 milionë euro pasuri janë konfiskuar përfundimisht, ndërkohë që 24 milionë euro të tjera është revokuar masa e sekuestros.
Viti 2020 ka qenë veçanërisht i ngjeshur përsa i përket pasurive të krimit, për shkak të Operacionit Forca e Ligjit. Bëhet fjalë kryesisht për pasuri të përfituara nga aktivitetet kriminale. Mes tyre gjendet toka, ara, apartamente, biznese, deri edhe hotele me vlera të konsiderueshme monetare. Për një pjesë të mirë të tyre, Agjencia ka nisur procedurat për dhënien me qira, ndërkohë që javët e fundit janë bërë publike edhe disa ankande radhazi të organizuara nga Ministria e Financave për shitjen e pasurive që janë konfiskuar përfundimisht me vendim gjykate.
Vetëm kësaj jave ajo ka shpallur 6 ankande për llogari të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Bëhet fjalë për dy toka arë, dy bodrume, dhe asetet e dy bizneseve. Vlera e pronave në total llogaritet nga agjencia në rreth 600 mijë dollarë, mes të cilave vetëm një prej tokave arë llogaritet me vlerë fillestare afërisht 300 mijë dollarë.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.