57 milionë lekë për tërheqjen e investimeve të huaja! Do identifikohen 100 investitorë dhe promovohen 30 projekte kombëtare
Një fond prej afro 57 milionë lekësh është vënë në dispozicion të tërheqjes së investimeve të huaja, si dhe promovimit të Shqipërisë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka shpallur tenderin në Agjencinë e Prokurimit Publik, në të cilin paraqet ‘ftesën’ për konsulencë të specializuar.
Ky investim, sipas detajeve të tenderit, ka për qëllim të rrisë numrin e investitorëve potencialë ndërkombëtarë, duke u përqendruar tek turizmi, energjia dhe minierat, transporti dhe infrastruktura, agrikultura, zonat e zhvillimit teknologjik dhe ekonomik, si dhe zonat me përparësi zhvillimi.
Sipas detajeve teknike të tenderit, për të arritur investime konkrete, nevojitet konsulencë e specializuar për të promovuar në tregje ndërkombëtare minimalisht 30 mundësi investimesh në projekte me rëndësi kombëtare.
Më tej, do të kryhet identifikimi i 100 investitorëve ose fondeve të investimit, me të cilët AIDA do të angazhohet për të zhvilluar takime, me qëllim prezantimin e projekteve të lartpërmendura. Sipas detajeve të projektit, tenderi do të qëndrojë i hapur për të gjitha kompanitë e interesuara të konsulencës, deri në 14 tetor, ora 13:00.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.