58 punëkërkues nisin shkollën profesionale në Gjermani, mundësi punësimi pas përfundimit

Kosovë- Agjencia e Përkrahjes së Punësimit në Kosovë ka zhvilluar takimin përmbyllës me 58 punëkërkuesit nga Kosova, të cilët pas përgatitjes së tyre 10 mujore do të fillojnë shkollën për aftësim profesional tre-vjeçar në Gjermani, në profesionin “ Përkujdesje ndaj të moshuarve”.
Drejtori i APPK-së, Bedri Xhafa tha se ky projekt është realizuar në bashkëpunim me ndërmarrjen sociale, Diakoninë dhe se interesimi i punëdhënësve dhe kandidatëve në Gjermani ka bërë që ky projekt të vazhdojë.
Xhafa tha se kandidatët kanë arritur deri në fazën e fundit dhe janë të përzgjedhur për proceset e mëtejshme. Ndërsa bashkëpunëtori ndërkombëtar i Diakonisë, Johannes Flothow, tha se 95% e shtetasve nga Kosova, më herët kanë migruar në Gjermani për arsye të bashkëjetesës apo martesave, mirëpo me ndryshimin e ligjit për migrim në Gjermani kjo gjë ka ndryshuar. Flothow më tej ka shtuar se në Kosovë duhet të paguhen ata persona që kanë për qëllim të arrijnë një kualifikim, shkruan “Kosovapress”.
Sipas Flothow gjetja e institucioneve që pranojnë punëtore nga Kosova ka qenë jo e lehtë sepse sipas tij nuk kanë pasur një emër të mirë në Gjermani.
Në këtë takim mori pjesë edhe përfaqësuesi nga Ambasada Gjermane, Marten Menger i cili është shprehur i kënaqur që sheh këta të rinj që do të vazhdojnë shkollimin profesional në shtetin gjerman. Ai iu ka uruar kandidatëve suksese për shkollimin dhe përshtatjen me shoqërinë gjermane.
Shkollimi dhe aftësimi trevjeçar profesional do të realizohet në kuadër të projektit “Migrimi legal i qytetarëve të Kosovës në kuadër të Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Gjermani”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.