6 miliard lekë për barazinë gjinore – Strategjia Kombëtare për 10-vjeçarin, hendeku financiar është 20%
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nxjerrë për konsultim publik Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe Planin e saj të Veprimit 2021- 2030, që parashikon një sërë masash, me qëllim arritjen e objektivëve të vendosur. Dokumenti rendti disa qëllime strategjike, ku përfshihet përmbushja e të drejtave ekonomike dhe sociale për gratë dhe burrat në shoqëri dhe fuqizimi i grave dhe vajzave nga të gjitha grupet e më konkretisht nga zonat rurale, minoritetet etnike, me aftësi të kufizuara, LGBTI+, të moshuara, nëna të vetme, etj, duke synuar një rritje dhe qendrueshmëri të ekonomisë mjedisore (së gjelbër), si dhe pjesëmarrjen e tyre të barabartë në dixhitalizim.
Gjithashtu, një tjetër qëllim është përmbushja e të drejtave të grave dhe burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha grupet për pjesëmarrje dhe udhëheqje të barabartë në vendimmarrjen publike. Zvogëlimi i të gjitha formave të praktikave të dëmshme, dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, si dhe aplikimi i integrimit gjinor si mjeti kryesor për arritjen e barazisë gjinore në shoqëri, janë 2 qëllimet e tjerë të renditur në dokument. Strategjia parqet edhe situatën aktuale, ku pavarëissht se vihet re rritje e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në tregun e punës, hendeku gjinor në paga sipas të dhënave zyrtare është 10,1 %, pra burrat kanë një pagë mesatare mujore bruto 10,1 % më të lartë sesa gratë.
Krahasuar me vitin e mëparshëm, në vitin 2019 vihet re një ulje e hendekut gjinor në paga me 0,6 pikë përqindje. Kostoja e përgjithshme për zbatimin e planit 10-vjeçar të strategjisë është rreth 6 miliardë lekë. Rreth 81% e buxhetit do të mbulojë zbatimin e politikave ekzistuese dhe 19% do të duhen për zbatimin e politikave të reja. Ndërkohë që, hendeku financiar parashikohet rreth 20%. Sipas dokuemntit të nxjerrë për konsultim publik, kjo strategji është ndërsektoriale dhe si e tillë lidhet me disa programe buxhetore, të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e tyre.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.