6 mld lekë më shumë se 2016 – Vjero: Tatimet mbledhin 3.3 miliardë lekë më shumë se plani
Ndryshimi i komunikimit me biznesin ka dhënë efekte pozitive dhe në mbledhjen e të ardhurave tatimore në buxhetin e shtetit.
Drejtore e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero, gjatë një interviste në TV SCAN bëri të ditura dhe treguesit e të ardhurave tatimore për periudhën 8 mujore.
Kështu sipas Vjeros, tatimet kanë arkëtuar në buxhetin e shtetit 3.3 miliardë lekë më shumë se planifikimi në fillim të vitit buxhetor dhe 6 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
“Administrata Tatimore ka tejkaluar planin e të ardhurave me 3.3 miliardë lekë krahasuar me planin e vitit 2017 apo jemi 6 miliard lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Sigurisht unë e thashë asnjëherë nuk jemi të kënaqur, ka ende tatime apo taksa të cilat kanë nevojë që të vlerësohen më shumë, t’i kushtohet një vëmendje më e veçantë nga administrata tatimore për të parë ku janë këto hendeqe apo pse një takim i caktuar nuk realizohet, apo kush janë faktorët që ndikojnë në këtë mos realizim. Megjithatë ky është një proces që është pjesë e punës sonë të përditshme. Tashmë plani është puna jonë e përditshme, por nuk është vetëm plani ajo çka administrata tatimore duhet të ketë në konsideratë”.
Por sipas Vjeros, në këtë ka ndikuar edhe ndikimi i ligjit të faljes, ku shumë biznese kanë përfituar.
Një përparësi për to ka qenë falja e mjaft detyrimeve, por edhe marrëveshjet e arritura midis administratës tatimore dhe sipërmarrjeve për pagesat me këste të detyrimeve të prapambetura.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.