60 mln euro “tym” – Importi i duhanit në vit, Greqia dhe Polonia në vend të parë
Shqiptarët konsumojnë rreth 60 milionë euro duhan në vit. Të dhënat e Institutit të Statistikave i referohen vitit 2017 dhe tregojnë se importi i duhanit në vend prekte vlerën e 7.7 miliardë lekëve.
Duke pasur parasysh se kërkesën për duhan në vend e plotëson kryesisht duhani i importuar, atëherë kjo është pak a shumë edhe vlera e duhanit që konsumohet nga shqiptarët në një vit.
Duhani vendas ndërkohë, që kryesisht është artizanal, ka një vlerë nominale relativisht të ulët, duke mos ndikuar shumë në shifrën e përgjithshme.
Sa i përket vendeve nga të cilat ne importojmë duhanin dhe cigaret, në vend të parë renditet Greqia me 2.26 miliardë lekë, ose rreth 17.4 milionë euro. Në vend të dytë ndërkohë ndjek Polonia me 2.21 miliardë lekë. Turqia me 960 milionë lekë, Gjermania me 820 milionë lekë dhe Zvicra me 280 milionë lekë mbyllin 5-shen e parë. Bosnje Hercegovina, Rumania, Ukraina, Portugalia dhe India mbyllin listën e 10 vendeve më të mëdha importuese të cigareve në vendin tonë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.